Çka thotë plani i BQK-së për dinarin dhe cilat janë tri alternativat e Odës Amerikane?
Hyrja në fuqi e Rregullores për Operacione me Para të Gatshme nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që parasheh ndalimin e dinarit si mjet pagese në Kosovë, po vazhdon të jetë tema kryesore në vend dhe jo vetëm. Tashmë BQK-ja ka paraqitur një plan si do të kalojë periudha e tranzicionit për ndalimin e dinarit. Nga ana tjetër, edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka prezantuar disa alternativa për zgjidhjen e çështjes së dinarit.
Dinari serb po vazhdon t’i shkaktojë telashe Kosovë në raport me marrëdhëniet me aleatët për shkak të vendimit të BQK-së për ndalimin e tij si mjet pagese në Kosovë.
Megjithatë, Rregullorja nuk është shtyer pavarësisht kërkesave, por ajo çka është ofruar nga Qeveria e Kosovës për ndërkombëtarët, është një periudhë tranzicioni dhe informimi deri në largimin e plotë të dinari.
Banka Qendrore e Kosovës ka paraparë një plan tranzicioni që sipas tyre nuk duhet të zgjas më shumë se tre muaj.
Ky plan parasheh lehtësime për hapjen e llogarive bankare si dhe pezullimin e përkohshëm të tarifës së BQK-së për hapjen e degëve të institucioneve financiare e këmbimore.
Gjithashtu, plani parasheh edhe informimi të qytetarëve serbë, hapjen e pikava për këmbim të parave, vendosja e bankomatëve e të tjera.
Ky është plani i BQK-së:
“Funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800-222-55), e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’
Lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë
Pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore
Zgjerimi i prezencës me degë bankare jobankare për mbulimin me degë shtesë dhe rritje të ofrimit të shërbimeve financiare në komunat në veri të vendit
Organizimi i ofrimit të shërbimeve bankare (hapje e llogarisë) në mënyrë mobile nga bankat komerciale (remote banking) në secilën nga katër komunat veriore, në mënyrë të organizuar me qëllim të jenë sa më afër qytetarëve
Vendosja e disa bankomatëve (ATM) si dhe pajisjeve tjera për pagesa elektronike (POS), apo vet-shërbime financiare
Lehtësimi i procesit të këmbimit të dinarëve me EURO nga institucionet financiare dhe këmbimoret të licencuara
Vazhdimi i aktivitetit të intensifikuar promovues, me materiale të personalizuara dhe thjeshtëzuara, video mesazheve, si dhe edukimit financiar të fokusuar
Rritja e qasjes në financa, rritja e mëtejshme e kreditimit dhe pakove tjera financiare të fokusuara në këto zona nga institucionet financiare
Rishikimi i kushteve të konvertimit me trajtim preferencial gjatë pranimit të fondeve dhe tërheqjes në bankomate (ATM) me kartela të skemave ndërkombëtare të lëshuara jashtë Kosovës.”
Tri alternativat e Odës Amerikane
Në anën tjetër, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka ofruar tri alternativa lidhur me Rregulloren e BQK-së, ku e para pikë parasheh këtë gjë:
“Alternativa 1: Shfrytëzimi i institucioneve të transferit të parave për transferimin e fondeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse konsiderohet si fizibil, ky opsion mund të jetë më pak praktik dhe më i kushtueshëm për individët.” – thuhet në propozimin e Odës Amerikane.
Alternativa e dytë e Odës Amerikanë është krijimi i një llogari bankare nga Serbia që mundëson transaksione ndërshtetërore me llogaritë që janë me dinarë në bankat e Kosovës.
“Alternativa 2: Krijimi i një llogarie bankare nga Qeveria e Serbisë në Serbi për transaksione ndërshtetërore me llogaritë përkatëse të denominuara në dinarë në bankat e Kosovës. Kjo metodë ofron një zgjidhje praktike nëpërmjet marrëdhënieve ekzistuese bankare, me gjithë kompleksitet e mundshme logjistike.” – thotë alternativa e dytë.
Ndërsa, alternativa e tretë parasheh transfere direkte të fondeve nga bankat në Serbi në ndonjë bankë në Kosovë dhe shpërndarja e tyre në llogaritë e qytetarëve.
“Alternativa 3: Transferet direkte të fondeve nga ndonjë bankë të Serbisë në ndonjë bankë të përcaktuar në Kosovë për shpërndarje në llogaritë e përfituesve individualë. Ky opsion thjeshton procesin duke siguruar përputhshmërinë me kërkesat rregullative.” – thuhet në pikën tre dhe ndër të tjera, Oda Amerikane thotë se “në të gjitha alternativat, është e rëndësisë kruciale të adresohet licencimi i institucioneve për importim të valutave, për të siguruar një furnizim adekuat të dinarëve në Kosovë.”