“Aleatët; shtëpia pa miq nuk mbahet”: Si i çuan Osmani e opozita mesazh Kurtit në ditën e pavarësisë?
Sot po shënohet 16-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Për nder të këtij përvjetori është mbajtur edhe një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, ku kishte shumë fjalime nga krerët e pushtetit dhe opozitës. Ajo çfarë u vërejt ishte përmendja e aleatëve e falënderimi i miqve të Kosovës, që kontribuan për këtë ditë të shënuar.
Në fakt, një shkrim i shkurtër i Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës, mund të lexohet si një mesazh publik ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Në ora 8 të mëngjesit, Osmani shkroi tri fjali, ku përmendi Kosovën, duke uruar që ajo të jetë e lirë, e pavarur, sovrane dhe me aleatë.
Pikërisht termi i fundit, pra urimi që Kosova të jetë me aleatë, mund të interpretohet si një “këshillë publike” për Kurtin, marrëdhëniet e të cilit me ShBA-në aktualisht janë të lënduara.
“Të duam Kosovë 💙💛
Të lirë, të pavarur, sovrane e me aleatë.
Urime ditëlindjen e 16-të.” – shkroi Osmani.
Mesazhet e opozitës
Natyrisht, opozita ishte edhe më e drejtpërdrejtë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e huazoi një thënie të Ibrahim Rugovës, ish-president i Kosovës. “Shtëpia nuk mbahet pa miq” – ishte fjalia që Abdixhiku e huazoi nga Rugova, një personalitet i shquar historik që nga shumë konsiderohet si “ati i pavarësisë”.
“Sot falënderojmë të gjithë aktivistët që punuan për këtë ditë., Falënderojmë prijësin e rrugës sonë dhe presidentin historik Ibrahim Rugova, falënderojmë luftën e shenjtë të UÇK-së dhe sakrificën e familjes së Jasharajve. Në kohërat më të vështira, krijuam unitet të brendshëm. Krijuam ura bashkëpunimi mes vete dhe aleatë, prandaj kapërcyem sfida të pakapërcyeshme më parë. Ndiejmë mirënjohje për aleatet që në orët më të vështira na dolën në krah. Shtëpia nuk mbahet pa miq, nuk mbahej dje, s’mbahet sot dhe s’do të mbahet as nesër. Këto aleanca t’ia mësojmë brezave të rinj”, ka theksuar Abdixhiku.

Ndërsa shef i grupit parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri vlerësoi se nuk mund të ketë festë pa falënderuar miqtë e Kosovës.
“S’mund të ketë festë pa falënderuar miqtë tanë. Populli jonë, kushdo që është në pushtet, nuk do ta kontestojë asnjëherë miqësinë me SHBA-në, BE-në dhe Britaninë e Madhe. Shumëkush, jo vetëm armiqtë e jashtëm, por edhe nga brenda, nuk besuan që do të shpallej Pavarësia e Kosovës. Por SHBA-ja nuk na zhgënjeu, i zhgënjeu ata që ishin skeptikë për orientimin euroatlantik. Ky vend nuk meriton qeverisje që e fut vendin në sanksione”, tha sot Tahiri në Kuvend.
Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri nuk harroi t’i përmendte miqtë e Kosovës.
“Duhet ta ruajmë partneritetin që e kemi ndërtuar me mund me SHBA-në dhe shtetet e BE-së, kjo nuk është dëshirë, është obligim që e ke marrë nga brezat që dhanë gjithçka për këtë liri”, ka theksuar ai.
Sjellim ndër mend që ditë më parë ambasadori i ShBA-së, Jeff Hovenier, theksoi se raportet në mes Kosovës dhe ShBA-së janë prekur pas vendimit të BQK-së për të ndaluar dinarin serb.