Çka po ndodh me KQZ-në: Pas tri javësh e zbaton vendimin e PZAP-it, rinumëron 5 vendvotime që duket se pikën nga qielli - NACIONALE

Çka po ndodh me KQZ-në: Pas tri javësh e zbaton vendimin e PZAP-it, rinumëron 5 vendvotime që duket se pikën nga qielli

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përveç papërgjegjësisë institucionale dhe keqmenaxhimit të procesit zgjedhor, numërimi dhe rinumërimi i stërzgjatur i votave nga KQZ-ja është bërë edhe komik. Ky institucion duket se kishte harruar numërimin e votave të disa vendvotimeve.

Të mërkurën pasdite, menjëherë sapo kishte mbaruar numërimi i 1,631 fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ngjau diçka shumë qesharake. Kur u duk se ky proces kishte mbaruar, zyrtarëve të KQZ-së u është kujtuar se disa kuti të votimit nuk i kanë numëruar fare.

Gazeta Nacionale ka mësuar se në orën 16:00 në QNR është vazhduar me rinumërimin e 5 kutive të votimit, të cilat duket se ishin harruar.

Burimet e Nacionales brenda QNR-së kanë bërë me dije se bëhet fjalë tri kuti që i takojnë Komunës së Pejës dhe për dy kuti që i takojnë Komunës së Prishtinës dhe asaj të Gjakovës.

Për rinumërimin e këtyre kutive, që duket sikur pikën nga qielli, kishte vendosur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në muajin shkurt.

Subjekte të ndryshme politike ishin ankuar në PZAP gjatë numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit për disa fletëvotime që numëruesit i kishin llogaritur të pavlefshme.

PZAP-ja i kishte aprovuar ankesat e partive dhe kishte urdhëruar KQZ-në që të rinumërohet këto vota. Por, KQZ-ja duket se këto kuti i kishte harruar se numëruari.

Gazeta ka mësuar vetëm të mërkurën u është rikujtuar zyrtarëve të KQZ-së se këto kuti nuk janë rinumëruar.

Numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit kishte filluar më 11 shkurt dhe kishte përfunduar më 21 shkurt, por vetëm në ditën e fundit KQZ-së i është kujtuar se ekzistojnë edhe 5 kuti votimi që duhet rinumëruar.

Hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dje i është hapur rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kjo pasi Gjykata Supreme e ka rrëzuar ankesën për anulimin e votave me postë të diasporës, të cilën e kishte bërë Partia Demokratike e Ashkalinjëve (PDAK LPB).

Në vendimin e Gjykatës Supreme, i cili është publikua dje, thuhet se ankesa shpallet “e pabazuar”.

Paraprakisht, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, kishte bërë me dije se KQZ-ja është në pritje të këtij vendim të Gjykatës Supreme.

Për të ardhur deri te shpallja e rezultateve përfundimtare të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke ndjekur hapat e përcaktuar me ligj. Aktualisht, KQZ është duke pritur vendimin nga Gjykata Supreme lidhur me ankesën e një subjekti politik të certifikuar. Para se të thërrasë mbledhjen për shpalljen e rezultateve, KQZ do të sigurohet për konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme për të parë nëse ka ndonjë ankesë të pazgjidhur dhe nëse mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare,”, kishte thënë Elezi.

Lajme të ngjashme