Çitaku: E ardhmja nuk guxon të rrezikohet për një grusht vota, Kosova nuk i takon një njeriu
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në vend, ku u paralajmëruan sanksione ndaj Kosovës nga SHBA-ja dhe BE-ja si dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
Çitaku përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Kosova nuk i takon një njeriu dhe se e ardhmja e vendit nuk mund të rrezikohet për një grusht votash.
“Çfarë Kosove duam ne për fëmijët tanë? Të izoluar apo të integruar në BE dhe NATO?” – ka pyetur ajo.
Reagimi i saj:
Kosova është shtet. I pavarur dhe sovran. Kjo e vërtetë e farkëtuar dhe e pakthyeshme nuk po kontestohet nga aleatët tanë. Kuptojeni.
Çfarë është vënë në pikëpyetje është e ardhmja euroatlantike e vendit tonë.
Çfarë Kosove duam ne për fëmijët tanë? Të izoluar apo të integruar në BE dhe NATO?
Kualiteti i aleancave dhe mirëmbajtja e tyre është po aq e rëndësishme sa edhe sovraniteti.
E ardhmja e Kosovës nuk guxon të rrezikohet për një grusht vota. Kosova nuk i takon një njeriu.
