"Përbashkimin që s'e pamë": Qysh dhe pse u anulua mbledhja e përbashkët e dy qeverive?
Mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë e paraparë që të mbahet sot në Gjakovë, është anuluar dhe nuk pritet të mbahet. Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka publikuar agjendën. Por qysh ndodhi dhe pse u anulua?
Mbledhja e mes dy qeverive do të duhej të mbahej sot në Gjakovë. Edhe pse motoja e mbledhjes ishte “të përbashkuar në Gjakovë”, duket se përbashkim atje nuk do të këtë.
Ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një konferencë për medie bërë të ditur se ka kërkuar që të ndryshohet formati i mbajtjes së kësaj mbledhje.
Ai ka thënë se për shkak të situatës politike në të cilën gjendet Kosova, si pasojë e tensionimit në veri të vendit, s’është e mundur të mbahet mbledhja e dy qeverive.
“Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër, në Gjakovë, në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht për këtë situate, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike në një pikë të paimagjunueshme, ku kjo e fundit e ka vendosur gishtin faktikisht në butonin që do të vë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë.” – deklaroi Rama.
Më tej, Rama ka thënë se nuk është koha për të krijuar diçka të rremë në krahasim me atë që po ndodh në Kosovë.
Ai gjithashtu theksoi se nuk ka marrë përgjigje përfundimtare nga kryeministrit Kurti për mbledhjen.
“Nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt po ndodhë në realitetin e Kosovës sot, mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, shpresojmë se mund të takohemi për të ballafaquar opinionet.” – ka thënë Rama.
Njëanshme
Ndërkohë, Kurti, përpara koncertit në Gjakovë, koncert ky që po mbahej si organizim para mbledhjes, ka thënë se s’kishte informacion për anulimin e mbledhjet dhe që nuk do të duhej të anuloheshin.
“Unë sapo mbërrina këtu, dhe s’kam informacion. Mbledhjet Shqipëri – Kosovë s’do të duhej të anuloheshin nga askush.” - është shprehur Kurti dje për Syri TV.
Pas deklarimeve të Ramës, reagoi Qeveria e Kosovës e cila theksoi se anulimi i mbledhjes është bërë në mënyrë të njëanshme.
“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme.” – ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparimm Kryeziu.
Rreth mbledhjes
Aktualisht sot Zyra e Kryeministri, ka publikuar agjendën e plotë të kësaj mbledhje. Ata nuk e kanë larguar nga faqja anipse me shumë gjasë nuk do të mbahet.
Nën moton “të përbashkuar në Gjakovë”, dy qeveritë do të nënshkruani 13 marrëveshje.



