Edi Rama: Ndërkombëtarëve po u soset durimi, sanksionet ndaj Kosovës janë të rënda
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme, ku ka treguar se është anuluar mbledhja mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës.
Në konferencën e tij, z. Rama ka folur edhe për planin e sanksioneve ndaj Kosovës, duke thënë se ndërkombëtarët janë në kushte të sosjes së durimit.
“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare e kryeministrit Kurti, unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet e përsëris jemi në prag të vënies në lëvizje, se nuk ma zë goja të flas për sanksione, të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata që qartësisht janë në kushte të sosjes së durimit” – deklaroi Rama.
Tutje, ai ka thënë se ka kërkuar edhe pak kohë nga ndërkombëtarët.
“Kam bërë një përpjekje për të kërkuar edhe pak kohë, e kam marr edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam frikë se plani që është një plan realisht, realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje” – shtoi ai.
