Cili mekanizëm? Haxhiu e Konjufca 'duan ta kontrollojnë' Specialen, por ia huqin keq - NACIONALE

Cili mekanizëm? Haxhiu e Konjufca 'duan ta kontrollojnë' Specialen, por ia huqin keq

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Funksionarë të ndryshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka një kohë që përmendin nevojën për një mekanizëm të kontrollit të Gjykatës Speciale. Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit, dhe Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, edhe publikisht kanë folur për këtë çështje. Por tashmë ekzistojnë dy mekanizma të kontrollit të Gjykatës Speciale: Gjykata Kushtetuese dhe Ombudspersoni.

Juristët vlerësojnë se ky qëndrim i Konjufcës dhe Haxhiut tregon mungesën e njohurive elementare të strukturës aktuale të Gjykatës Speciale.

Më 4 janar, ministrja Albulena Haxhiu foli përsëri rreth nevojës për një mekanizëm kontrollit të Dhomave të Specializuara. Madje zonja Haxhiu, ani pse është juriste me profesion, deklaroi se nuk ekziston asnjë instancë e kontrollimit të Speciales, ndonëse siç dihet ekzistojnë dy institucione që mbikëqyrin punën e Gjykatës Speciale.

“Nuk mund të bëhet më shumë dhe ne kemi adresuar këtë kërkesë edhe të kryetari i Kuvendit, sipas informacioneve që i kam, tashmë janë duke diskutuar për një trupë profesionale që e trajton aspektin e të drejtave të njeriut, sepse nuk ka asnjë instancë, ndonjëherë që ka pasur, që nuk e ka pasur një institucion tjetër për ta monitoruar, ta zëmë Tribunali i Hagës e ka pasur OKB-në, mirëpo jo Gjykata Speciale nuk e ka asnjë të tillë”, ka theksuar Haxhiu.

Sipas Durim Berishës, jurist i njohur e ish-këshilltar i Albin Kurtit në Qeverinë Kurti I, deklarata e Haxhiut tregon mungesën e njohurive “elementare mbi strukturën dhe organizimin e Dhomave të Specializuara”. Për më shumë, ish-këshilltari i Kurtit thekson se e gjithë deklarata e Haxhiut duhet parë si tendencë për “pak vëmendje mediale”.

“Deklarata e ministres Haxhiu në lidhje me themelimin e një organi të posaçëm që mbikëqyre mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të njeriut të personave që po qëndrojnë në Hagë - përderisa një organ i tillë është themeluar paralelisht me dhomat e specializuara - është tregues i mungesës se njohurive elementare mbi strukturën dhe organizimin e dhomave të specializuara dhe deklaratat e saj shërbejnë vetëm për pak vemendje mediale. Por nuk është hera e parë që ministrja dëshmon se i mungojnë njohuritë elementare në lëminë e drejtësisë dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.” – theksoi z. Berisha për Nacionalen.

Ndërsa për juristin Armend Shkoza, deklarata për krijimin e një mekanizmit të kontrollit të Gjykatës Speciale është një “absurditet juridik”.

“Është absurditet juridik një mbikëqyrje e tillë derisa kjo gjykatë është krijuar në një virtualitet paralel. Pra prej nivelit themelor, atë të apelit, supremës e deri tek paneli i veçantë i gjykatës kushtetuese i ngërthen në vete ky mekanizëm gjyqësor. Andaj, të flitet për instalimin e një mekanizmi të mbikëqyrjes nga institucionet e Kosovës është mosnjohuri dhe mungesë e informatës mbi prerogativat e pushtetit gjyqësor.” – sqaroi z. Shkoza për gazetën Nacionale.

Tutje, Shkoza tregon një mundësi për të “kontrolluar” Specialen, ndonëse vlerëson se ka pak gjasa që e njëjta të realizohet.

“Zgjidhja duhet kërkuar në një mundësi, e cila ka ekstremisht gjasa të vogla të realizohet, e ajo ka të bëj me patronazhin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore nga Gjykata e Strasburgut, për faktin se në këtë gjykatë gjykojnë gjyqtarët ndërkombëtar dhe financohet drejtpërdrejt nga BE-ja.” – deklaroi tutje ai.

Për këtë çështje kohë më parë ishte deklaruar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, që me profesion është filozof. Konjufca ishte shorehur se Gjykata Speciale ka shumë defekte, duke shtuar se duhet të krijohet një “mekanizëm legjitim i kontrollit demokratik”.

“Ne si institucione do t’i bashkërëndojmë të gjithë hapat, ashtu që të mund të vijmë deri te një koncept se cili do të ishte një mekanizëm legjitim i kontrollit demokratik i kësaj gjykate. Askund në botë nuk ka gjykata, të cilat janë institucione absolute, të mbyllura, hermetike, të cilat bëjnë çfarë të duan. Gjithkund në botë, gjykatat i nënshtrohen një procesi, mekanizmave të kontrollit sa u përket të gjitha çështjeve, mbarëvajtjes së punës aty, sa u përket procedurave, pretendimeve për ndonjë shkelje eventuale.” – deklaronte Konjufca në qershor të 2022.

Kujtojmë që tashmë Gjykata Speciale e ka shpallur aktgjykimin e parë për krime lufte, duke e dënuar Salih Mustafën, ish-komandant Cali, me 26 vite burgim.

Lajme të ngjashme