Chollet në Kosovë, Asociacioni, arrestimi i kirurgëve, krejt çka ndodhi për një javë në Kosovë - NACIONALE

Chollet në Kosovë, Asociacioni, arrestimi i kirurgëve, krejt çka ndodhi për një javë në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Java që po e lëmë pas ishte dinamike sa i përket zhvillimeve në Kosovë. Pati më shumë zhvillime në politikë e në shëndetësi.

Chollet vizitoi Kosovën

Të mërkurën e 11 janarit, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet qëndroi për vizitë në Kosovë. Procesi i dialogut, plani evropian dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishin ndër temat e diskutimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Cholletit.

E Chollet takoi edhe gazetarët në një takim ndaras nga krerët e shtetit.

Ai në një bisedë më gazetarë tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga "Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë"

Chollet theksoi se Acociacioni është një çështje urgjente.

"Ne besojmë se Asociacioni është një çështje urgjente, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut, ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në veri", tha Chollet.

Duke folur për dialogun gjatë vizitës në Kosovë Chillet shtoi se palët duhet të angazhohen urgjentisht.

Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”, tha ai.

Çka ndryshoi?: Kurti thotë tash se Asociacioni mund të adresohet në planin franko-gjerman

E tema e këtyre muajve padyshim mbetet edhe çështja e Acociacionit.

Nacionale ka raportuar vazhdimisht edhe për këtë punë.

Është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili për herë të parë gjatë kësaj jave ka thënë se çështja e Asociacionit mund të diskutohet brenda propozimit franko-gjerman ose propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Këto komente Kurti i bëri në konferencën e përbashkët me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer gjatë vizitës zyrtare në Vjenë.

Kurti theksoi se Asociacioni mund të diskutohet brenda propozimit franko-gjerman, por Asociacion njëetnik nuk mund të ketë.

BE-ja dhe Borrelli insistojnë që ai plan të quhet propozimi i BE-së, i përkrahur nga Gjermania e Franca. Këtë e pranoj plotësisht. E kemi pranuar këtë propozim më 9 shtator. Është bazë e mirë ky propozim për të vazhduar më tutje në negociata.Ne besojmë që është bazë e mirë ky propozim për të vazhduar më tutje negociatat. Jemi në një moment kur flasim, diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë në mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet, megjithatë, sipas Kushtetutës së Kosovës, që u ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe, dhe që është përpiluar nga z.Ahtisaar, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik.” – ka thënë Kurti të enjten.

Zhvillimet në shëndetësi: Arrestimi i kirurgëve

E në sektorin e shëndetësisë gjatë kësaj jave plasi një skandal. Tre kirurgë në Vushtrri u arrestuan nga Policia e Kosovës nën dyshimet për ‘marrje ryshfeti”. Mediat për këtë rast ofruan dëshmi të familjarëve të pacientëve që drejtuan akuza ndaj këtyre mjekëve vushtrrias se u morën para të majme me arsyetimin për blerjen e penjëve kirurgjikal, në mënyrë që të afërmit e tyre të futeshin në operacion.

Nacionale, raportoi edhe për këtë rast.

Për Nacionalen, një familjar i një pacienteje ka rrëfyer se si Dr. Isuf Zekaj i ka marrë para në shumën e 250 eurove me arsyetimin se do të blejë penj kirurgjikalë për operimin e nënës së tij. Për Nacionalen, ky person ka rrëfyer për bisedën me Dr. Zekajn dhe më pas operimin e nënës së tij.

Penjtë, sipas familjes, i kishte siguruar vetë mjeku qe do ta kryente operacionin.

Premtim Fetahu ka rrëfyer se si në dhjetorin e vitit 2021 ia ka dhënë kirurgut Isuf Zekaj 250 euro.

250 euro ia kam jap nalt në spital (Spitalin e Vushtrrisë), para se me shti në operacion në sallë. Atë ditë e kanë operu. Atë ditë tha: "Unë i kom marrë ata pejtë e çka shkojnë për aty". Edhe më tha: "250 euro". Thashë: "Në rregull, doktor, qe ku i ke". I mori 250 euro. Kam parë edhe të tjerë familjarë të pacientëve që kanë hyrë në të njëjtën dhomë, unë i thosha "dhoma e rrëfimeve” - ka thënë Premtim Fetahu, familjar i pacientit, për Nacionalen.

Lajme të ngjashme