Ndërpriten operacionet në spitalin e Mitrovicës, shkak mungesa e ujit - NACIONALE

Ndërpriten operacionet në spitalin e Mitrovicës, shkak mungesa e ujit

3 vjet më parë

nga Gentiana Hasani

Të gjitha operacionet në qytetin e Mitrovicës janë ndërprerë. E gjithë kjo si pasojë e mungesës së ujit në këtë qytet. Mungesa ka përfshirë edhe Spitalin Rajonal në Mitrovicë.

Drejtoresha e Spitalit Luljeta Zhubi i tha Nacionales se që nga mbrëmë ujë atje nuk ka.

Si pasojë edhe operimet janë ndalur. Përveçse ndonjë rasti shumë emergjent që kërkon intervenim në atë spital.

Nuk kemi ujë që nga mbrëmë. Për shkak të mungesës së ujit edhe operacionet e planifikuara për ditën e sotme janë ndalë. Ne kemi kërkua ndihmë edhe nga spitali I Vushtrrisë”, tha për Nacionalen Zhubi.

Ajo tha se në rast të ndonjë rasti emergjent që ka nevojë për intervenim atëherë ka një sasi të ujit sterilizues që do të mund t’I nxirrte sadopak nga situate.

Po presim. Po shprejsojmë që shpejtë të bëhet zgjidhje”, tha drejtoresha e Spitalit për Nacionalen.

E ndërkohë Mitrovica po vazhdon të përballet me mungesë të furnizimit të rregullt me ujë.

Ndërkohë nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, kanë dhënë versionin e tyre për mungesën e ujit në këtë qytet.

Nga KRU Mitrovica kanë theksuar se e gjithë kjo situatë është krijuar si pasojë e shfaqjes së defekteve në stabilimentet e Impiantit për Trajtimin e Ujit në Shipol dhe njëkohësisht edhe çrregullimin e furnizimit me ujë të pijes.

Ky është njoftimi i plotë i Ujësjellësit:

Të nderuar konsumatorë,

Ditëve të fundit, jemi ballafaquar me disa probleme teknike të cilat kanë ardhur si pasojë e shfaqjes së defekteve në stabilimentet e Impiantit për Trajtmin e Ujit në Shipol dhe njëkohësisht edhe çrregullimin e furnizimit me ujë të pijes.

Edhe sot jemi duke u ballafaquar me problemin përderisa ekipet e mirëmbajtjes janë duke punuar vazhdimisht në evitimin e defekteve të cilat normalisht që në një proces të tillë të trajtimit edhe ndodhin.

Shpresojmë që sa me parë të rregullojmë këto probleme dhe të vazhdojmë me furnizimin e rregullt të popullatës e cila furnizohet nga Impianti në Shipol.

Duke iu kërkuar ndjesë për këtë situatë të pakëndëshme, kërkojmë mirëkuptimin tuaj!

Lajme të ngjashme