U prit nga Abbott, çfarë kishin thënë Kurti e Haxhiu për kryeprokurorin Isufaj?
Njëra nga “caqet e sulmit” të Qeverisë aktuale të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje është Prokuroria Speciale, tani për arrestimet e fundit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrjeve dhe Tregtisë, lidhur me dyshimet për përfshirje të disa zyrtarëve në aferat e vajit dhe grurit, e dikur për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit. Ndërsa, targeti kryesor në Prokurorinë Speciale është Blerim Isufaj, i zgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për t’u bërë Kryeprokuror i Shtetit, por që nuk e ka marrë ende miratimin e Presidentes. E të cilin kryeministri Kurti dhe ministrja e Drejtësisë nuk e duan për Kryeprokuror. Ndonëse, “i padeshiruar” nga ekzekutivi, ai sot ka zhvilluar një takim të rëndësishëm. Çfarë ndodhi?
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, me ftesë të ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott ka marrë pjesë në një drekë të organizuar nga ambasada e MB-së në Prishtinë.
Ambasada ka njoftuar se në këtë takim, pjesëmarrës ishte edhe prokurori i Maqedonisë së Veriut. Organizimi, sipas njoftimit, u bë në kuadër të projektit të financuar nga Britania e Madhe për rritjen e bashkëpunimit mes prokurorëve në rajon.
“Kënaqësi të pres prokurorët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për drekë në Rezidencën Britanike si pjesë e një projekti rajonal të Ballkanit Perëndimor të financuar nga Britania e Madhe, i projektuar për të krijuar një zinxhir më të fortë dhe më efektiv të drejtësisë penale, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit midis prokurorëve rajonalë. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve efektive dhe të pavarura është një element kyç drejt përfundimit të ciklit vicioz të krimit dhe korrupsionit që gërryen besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.” – thuhet në njoftimin e ambasadës britaneze.
Si e kishin akuzuar Kurti dhe Haxhiu prokurorin Isufaj?
Disa muaj më parë, saktësisht pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit. gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës Kurti e akuzoi rëndë Isufajn, derisa po “argumentonte”, se pse sipas tij, i njejti nuk do të mund të bëhet Kryeprokuror.
“Unë nuk kam dyshim që prokurorinë e shtetit dhe atë sa më larg aq më shumë ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vete ndaj meje, si kryeminsiter, por ndaj qeverisjen tonë, ndaj pushteti të ri të dal nga 14 shkurti 2021. Kjo lidhet me shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurit Bleirm Isufajt”, tha Kurti.
“Bëhet fjalë për një prokuror, i cili është mirënjohur në skenen tonë publike që rastin e vrasjes seëish shefit të AKP, Dino Hasanajt e ka kategorizoj në vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish drejtorit të informimit në kryeministri Hamdi Sopa e shndërroi në vrasje. Njëkohësisht bëhet fjala për një prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të behet kryeprokuror.
“Por, nuk do të mundet (të bëhet kryeprokuror). Sepse këtu ka republikë dhe popull”.
Edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, i pati bërë “vettingun”, Isufajt në një seancë të Kuvendit, katër muaj më parë, duke i “dërguar mesazh” Presidentes Osmani, se as jo s’e do Isufajn për Kryeprokuror.
“Ju e dini shumë mirë se për çka përkushtohet Qeveria Kurti. Neve na duhet një Kryerokuror që nuk e ka bishtin e zënë me derë...” – tha znj. Haxhiu në fjalën e saj.
Tutje, ministrja e Drejtësisë e kishte quajtur prokurorin Isufaj të paftë dhe pa integritet moral.
“Nuk mundemi edhe me shtatë vite me e çu me një prokuror që është i paaftë, që nuk ka integritet moral...”

