Ç’duhet të dimë për hallet e vërteta të shqipes në Maqedoni? - NACIONALE

Ç’duhet të dimë për hallet e vërteta të shqipes në Maqedoni?

5 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Përballë pafuqisë absolute të përfaqësuesve të VLEN-it në qeverinë e Mickoskit, përdorimit të shqipes i janë vënë haptas kufizimet e para revanshiste. Megjithëse studentët protestuan zëshëm midis Shkupit, Ministria e Drejtësisë i ka quajtur ata si të nxitur nga opozita. Ajo e ka bërë veshin shurdh ndaj kërkesës që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në shqip. Nga viti 2001, falë luftës së UÇK-së dhe Marrëveshjes së Ohrit, shqipja përparoi zyrtarisht në komuna e shtet. Më 2018, miratimi i Ligjit për përdorimin e Gjuhëve, hapi siparin që shteti të dygjuhësohej në gjykata, banknota, uniforma policore e komunikime. Me rikthimin e VMRO-DPMNE-së, shumë nga këto përparime u kthyen në zero teksa vendimi i Kushtetueses mban në ethe gjithë vendin.

Col Mehmeti

6 prill 2026 – Dy rastet më taze për politikat e gjuhësisë në Maqedoninë e Veriut, ‘Safe City’ dhe provimi për jurisprudencën, i rikthejnë pyetjet e kahmotshme mbi statusin e vërtetë të shqipes në shtet.

A është ajo gjuhë bashkëzyrtare me maqedonishten apo përdorimi i saj në shtet është vetëm pjesor?

Nëse qëmtohet raporti i dy gjuhëve që kanë hisen më të madhe të folësve, maqedonishtja e shqipja, tabloja del bajagi e ndërliqshme.

Përtej cakërrimeve politike, pabarazitë bien në sy fillimisht në katet më të poshtme sociale.

Dygjuhësia (diglotia) në shoqëri është kryesisht e njëanshme.

Pjesëtarët e etnisë maqedone shfaqin thuajse interesim të hiçtë për ta mësuar gjuhën e folur nga afër një e treta e popullatës.

Në anën tjetër, pjesëtarët e etnisë shqiptare në pjesën më të madhe e flasin maqedonishten, ashtu sikurse edhe pjesëtarë të grupeve të tjera etnike.

‘Casus belli’ i përplasjeve të fundit

Kur Gjykata Kushtetuese në dhjetor të 2024-s e shtyu për njëfarë kohe vendimin e saj mbi kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e Gjuhëve, çështja e gjuhësisë nuk u çkapurit në debate e përplasje partish.

Por, ‘paqja’ u prish në dy muajt e fundit.

Në rastin e parë, sistemi inteligjent i kamerave ‘Safe City, i menduar për të vënë rend e siguri në qarkullimin rrugor, nuk e honepsi shqipen.

Me dritën e gjelbër edhe të Gjykatës Kushtetuese, mesazhet njoftuese për gjobëvënie jepen vetëm në maqedonisht e anglisht.

Në rastin e dytë, me izën edhe të Ministrisë së Drejtësisë, maqedonishtja është e vetmja gjuhë për të dhënë provimin e jurisprudencës, i cili është kushti themeltar për t’u bërë gjyqtar, prokuror, avokat, noter ose përmbarues.

Duke zënë vëng nga rasti i fundit, studentë nga tre universtetet – Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe ai Nënë Tereza – sot protestuan në Shkup përballë ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë.

Pavarësisht pakënaqësive të përsëritura, ministria e udhëhequr nga Igor Filkov u bë edhe më kryeneçe duke mos honepsur kërkesën që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në shqip.

Emancipimi që nisi falë UÇK-së

Në sfond të përplasjeve e paqartësive thuejse të përhershme mbi përdorimin zyrtar të gjuhëve është një histori që kthehet dy dekada e gjysmë pas në kohë.

Sebep kryengritjes shqiptare të 2001-s, Marrëveshja Kornizë e Ohrit (MKO) e sheshoi udhën që të bëheheshin ndryshime ligjore për ta ndryshuar Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Një nga rrjedhojat më të prekshme të saj ishte edhe stipulimi i rëndësishëm që një gjuhë e folur nga së paku 20 për qind e popullatës duhet të cilësohet si gjuhë zyrtare përkrah maqedonishtes.

24 vjet nga Marrëveshja e Ohrit – ku ishin e ku janë shqiptarët? - NACIONALE

Ndërsa teksti diplomatik ishte formuluar në mënyrë eufemistike si ‘gjuha e 20 përqindëshit’, Marrëveshja për herë të parë sfidoi sipraninë e maqedonishtes.

Qysh nga 1945-a kur u kodifikua si gjuhë në republikën e re brenda Federatës Jugosllave, maqedonishja kishte mbizotëruar në të gjitha sferat publike të jetës duke e mënjanuar shqipen.

Megjithatë, Ligji i Gjuhëve i vitit 2008 jetësoi provizionet e MKO-së, ku më i rëndësishmi ishte përdorimi i gjuhëve nëpër komuna ku folësit e kalonin pragun e njëzet përqindëshit.

Në 30 nga 81 komuna, tok edhe me Qytetin e Shkupit, shqipja u njoh si zyrtare.

Nga ky ligj përfituan edhe gjuhë të tjera, siç është rasti me turqishten në komunat Qendër-Zhupë dhe Plasnicë, serbishten në Çuçer Sandevë, gjuhën rome në Shutë Orizare dhe boshnjakishten në Petrovec.

14 mars, dita e sprovës

Një gur miliar në rrugëtimin e problemit të përdorimit të gjuhëve ishte 14 marsi 2018, dita kur u votua Ligji mbi Përdorimin e Gjuhëve.

I votuar nga 64 deputetë prej 120 syresh, ligji parashihte përdorimin e dygjuhësisë në dokumente zyrtare, banknota, uniforma policore dhe zgjeronte përdorimin e shqipes në të gjitha komunikimet dhe seancat zyrtare.

Por ligji nuk pati fund të lumtur edhe kur ish-kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, e nënshkroi për ta botuar në Gazetën Zyrtare.

Presidenti i asohershëm i Maqedonisë së Veriut, Gjorgje Ivanov i kishte vënë ‘veto’ ligjit të sapomiratuar me mëtimin se ai e shkilte Kushtetutën.

Përveç mosvotimit, VMRO-DPMNE, e cila në momentin e dhënë ishte në opozitë, e dërgoi Ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Një mendim i Komisionit të Venecias, i dhënë më 2019, nuk jepte ndonjëfarë kundërshtimi parimor ndaj zgjerimit të gjuhëve pakicë, duke e quajtur ligjin si nismë legjitime.

Por, në të njëjtin mendim, Komisioni shfaqi skepsë për sa i përket problematikave në zbatim, veçmas në lëmin e gjyqësorit.

Në dhjetor 2024, Gjykata Kushtetuese e shtyu për ca vendimin e saj mbi ligjshmërinë e Ligjit për përdorimin e Gjuhëve.

Ajo kërkoi amicus curiae shtesë (këshilla miqësore) nga Komisioni i Venecias, i cili vjet pak-a-shumë i përsëriti përgjigjet e dhëna në mendimin e 2019-s.

Sa vlen VLEN-i për debatet mbi gjuhën?

Përfaqësuesit e koalicionit VLEN në qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE duken mjaft rezignues në qëndrimet e tyre.

Ata i kanë qëndruar pas një deklarimi kundërthënës të kryeministrit, Albin Kurti, të bërë në nëntor 2024.

Me një qëndrim që dukej mjaft korrekt për palën maqedone, ai kishte thënë se në Maqedoni të Veriut shqipja nuk është gjuhë zyrtare dhe se Ligji i shumëpërfolur ishte për gjuhët e jo për shqipen apostofat.

Derisa VLEN-i si përgjigjje për rastet e fundit ka vetëm sulmet ndaj pushtetit të kaluar, lëvizjet e vetme në favor të statusit të shqipes si gjuhë bashkëzyrtare në shtet ngjan në harkun kohor 2008-2019, atëherë kur BDI-ja e Ali Ahmetit ishte në pushtet.

Si është gjendja e dygjuhësisë në shoqëri?

Në pritje të çekanit të Gjykatës Kushtetuese dhe nën shoqërimin e rragatjeve të ndërsjella në politikë e jashtë saj, ka të tjera çështje që lihen nën rrogoz.

Si vend shumëetnik e laraman për nga përbërja gjuhësore, pyetja që rrallë bëhet është sa manifestojnë prirje folësit e njërës gjuhë për ta mësuar gjuhën tjetër?

Gjendja në nivelin arsimor duket jo fort shpresëdhënëse.

Mësimi i gjuhëve të huaja në Republikën e Maqedonisë së Veriut nis që nga klasa e parë, në moshën 6-vjeçare, atëherë kur nxënësit njihen me anglishten si gjuha e parë e huaj.

Në klasën e katërt, gjuhët lokale introdukohen për nxënësit, ku nxënësit shqiptarë janë të detyruar ta mësojnë maqedonishten.

Në një vend ku, sipas regjistrimit të fundit, maqedonishten e flasin 61.38 për qind, kurse shqipen 24.34 për qind, diskrepancat flasin vetë.

Nëse maqedonishten e kanë deklaruar si gjuhë të tyre 61.38 për qind teksa si maqedonas janë deklaruar 58.44 për qind, kjo mund të shpjegohet vetëm si pasojë e epërsisë së saj në nivel shtetëror.

Asimetria e kësaj zbulohet nga fakti që një numër i ndjeshëm i të rinjve shqiptarë zotërojnë maqedonishten në nivel funksional, porse numri i të rinjve maqedonas që e njohin shqipen është gati i hiçtë.

Kjo gjendje që shkon përkundër realitetit demografik bëhet edhe më paradoksale kur kihet parasysh përpjesa e nxënësve të të dyja etnive në numrin e përgjithshëm të nxënësve.

Për shembull në vitin shkollor 2016/2017, nga 192,715 nxënës në shkollat filllore, 104,756 (55 për qind) ishin maqedonas, dhe 60,971 (32 për qind) ishin shqiptarë.

Rekomandimi që nxënësit maqedonas ta mësonin shqipen ishte bërë qysh më 2010 nga ish-ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere. /Nacionale/

Lajme të ngjashme