Çarje për Ramën? Kurti e refuzoi takimin, Osmani e pret sot Ramën - pak ditë pasi hëngri darkë në Ulqin
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, është një nga figurat politike më të komentuara në Kosovë. Dhe për këtë ka shumë arsye, përfshirë draft-statutin për Asociacionin që Rama e dorëzoi te ShBA-ja, Gjermania e Franca. Së fundmi, është vërejtur një plasaritje në marrëdhëniet mes kryeministri të Kosovës, Albin Kurti dhe Ramës, për shkak të tensioneve në veri. Përderisa Kurti e refuzoi takimin sot me Ramën, i cili e kishte anuluar mbledhjen e dy qeverive në muajin qershor, presidentja Vjosa Osmani, ditë më parë, ngrëni një darkë me Ramën.
Madje, nesër Osmani do ta takojë Ramën në ora 16:00, një ditë pasi Kurti i tha "JO" takimit me kryeministrin e Shqipërisë.
“Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama”, thuhet në njoftim.
Andaj, është krejtësisht legjitime të shtrohet pyetje nëse ekziston “çarja” mes Kurtit e Osmanit në lidhje me Ramën?
Fillimisht, le të shohim çfarë ndodhi sot. Rama po qëndron në Kosovë në përpjekje për të përgatitur samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, që pritet të mbahet në muajin tetor në Tiranë. Për këtë ardhje të Ramës, pak javë pasi u anulua nga Shqipëria mbledhja e Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, foli edhe Kurti. Shefi i ekzekutivit theksoi se me Ramën do të takohet vetëm në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
“Unë jam në kontakt të drejtpërdrejt më kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama edhe e di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik. Është thënë që ky tur ballkanik ka të bëjë më përgatitje të samitit të radhë të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor, pra më shumë sesa tre muaj prej tani dhe unë miqësisht i kam kërkuar Ramës meqë do të vijë e të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë që ta mbajë edhe mbledhjen e dy qeverive që u anulua paarsyeshëm…Dhe unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen në këto le ta mbajë edhe një mbledhje të përbashkët të qeverive tona, t'i nënshkruajmë ato marrëveshje që janë në sirtar.” – theksoi sot Kurti.
Tutje, kryeministri Kurti e kritikoi anulimin e mbledhjes së dy qeverive, duke e quajtur anulim të paarsyeshëm.
“Por Procesi i Berlimit samitin e radhës në Tiranë e ka në mes të muajit tetor, tash jena në fillim të korrikut, nuk është as mes muajit gusht, as shtator, por tetor, shumë mirë që bëhen këto përgatitje kaq herë, mirëpo përderisa i bëjmë këto përgatitje kaq herët, të mos vonohemi edhe më tutje me një anulim të paarsyshëm të mbledhjes së dy qeverive andaj për mua është e nevojshëm që ta kemi mbledhjen e dy qeverive.” – shtoi Kurti në koferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë.
Por një qasje më ndryshe, shumë më ndryshe, karshi Ramës e ka përdorur presidentja Osmani. Komandantja Supreme, që dikur kishte marrëdhënie të trazuar me Ramën, së fundmi është parë në një darkë me kryeministrin Shqiptar në Ulqin, për të cilën fillimisht raportoi gazeta Nacionale.
Darka, që erdhi në një moment delikat në marrëdhëniet mes Ramës e Kurtit, vetëm se ka thelluar thashëthëmet në lidhje me një “çarje” mes Osmait dhe Kurtit në lidhje me qasjen rreth marrëdhënieve me aleatët e Kosovës dhe tensioneve në veri.
Në fakt, siç shkroi Nacionale, darka e të premtës së kaluar, vetëm sa do të rris thashethemet se presidentja Osmani më shumë pajtohet për temën e veriut dhe ndëshkimeve nga partnerët me kryeministrin Edi Rama se sa me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin kishte lidhur koalicion për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Ndryshe, kjo darke erdhi pas një historie jo aq të mirë në mes Osmanit dhe Ramës, e cila u karakterizua me episode edhe qesharake si p.sh. momenti kur Osmani e kishte prerë Ramën nga fotoja e përbashkët gjatë një takimi multilateral.


