"Çahet" politikisht familja Pacolli, Behgjeti kundër Albin Kurtit, Rrahimi e përkrah - NACIONALE

"Çahet" politikisht familja Pacolli, Behgjeti kundër Albin Kurtit, Rrahimi e përkrah

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Familja Pacolli është politikisht aktive që shumë vjet. Burri më i moshuar i kësaj familjeje, Behgjeti, në vitin 2007 e kishte themeluar AKR-në, të cilën e drejton që atëherë. Por duket se Behgjeti, ish-president, nuk i udhëheq po aq mirë marrëdhëniet me familjarët e tij. Që një kohë, ka një “plasaritje” në qëndrime mes tij dhe Rrahim Pacollit, kushëri (djali i xhaxhait të tij), që dikur ishte edhe deputet i AKR-së, por që dha dorëheqje në vitin 2019 nga partia e Pacollit të madh.

Pacollët nuk janë mjaftueshëm unikë sa i përket pikëpamjes së tyre në lidhje me kryeministrin Albin Kurti dhe qeverisjen e tij gati dyvjeçare.

Pacolli i madh është kritik i Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Pacolli i vogël (i vogël për nga vitet që ka mbi supe dhe karrierës politike) ka një kohë që po e lavdëron Kurtin.

Pyka Albin Kurti

Albin Kurti dhe qeverisja e tij duket ta ketë “çarë” familjen Pacolli sikurse pyka drurin. Behgjet Pacolli ishte pjesë e videos së famshme të VV-së, në të cilën “goditeshin” liderët opozitarë si “shkatërrues të shtetit”.

E për këtë nuk heshti z.Pacolli, seniori (i vjetri). Ish-presidenti Pacolli shkroi se ai nuk është shkatërrues i shtetit, por që e tillë është partia e Kurtit, VV-ja.

E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës, partia që sot e qeveris Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Jo, zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?”- shkroi Pacolli më 4 tetor, transmeton Nacionale.

Në këtë status, ai rënditi disa ngjarje, të cilat i vlerësoi si sukses të tij e kontribut për Kosovën, si nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë, njohjet e shumta që Pacolli pretendon t’ia ketë sjellë Kosovës e investimet e tjera ekonomike në vend.

Pak ditë më vonë, z. Pacolli i komentoi deklaratat e Kurti për zhvillim ekonomik, ndonëse nuk e përmendi me emër shefin e ekzekutivit.

Po lexoj në media se dikush ka folur për një rritje të lartë ekonomike në vend, për dhjetëra mijëra vende të reja pune dhe për të gjitha këto të mira që kanë ndodhur në Kosovë. Mendoj se është jashtëzakonisht e papërgjegjshme në një krizë si kjo, me një dimër të vështirë përpara, të flasim me terma fantazie, vetëm e vetëm të blihet paqja sociale. Edhe në vendet më të zhvilluara sot nuk flitet për ndonjë rritje ekonomike apo vende pune, por diskutohet se si të përballen krizat, inflacioni dhe mungesa e energjisë”- shkroi ndër të tjera Pacolli, teksa e përmendi edhe videon ku ai cilësohej shkatërrues i shtetit.

Pacolli gjeti kohë edhe të tallej me Qeverinë Kurti pas shtyrjes së udhëtimit në ShBA të ministres Albulena Haxhiu. Ai postoi një fotografi në aeroplan, duke shkruar se po udhëtonte për në ShBA e ku mori pjesë në dasmën e vajzës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Kosova është e bekuar me miqësinë amerikane. Nuk duhet rrezikuar asnjëherë!”- shkroi z.Pacolli në koment tek fotoja.

Sidoqoftë, kushëriri i tij, Rrahim Pacolli, është krejt në anën tjetër të “istikameve”. Rrahimi, pra Pacolli junior (më i ri), është përkrahës i kryeministrit Albin Kurti, të cilin sot e vlerësoi si kryeministri që i është dashur Kosovës.

Ka disa ditë që kryeministri Albin Kurti, po udhëton në vende të ndryshme evropiane me qëllim të lobimit politik dhe ekonomik për Kosovën. Kurti vazhdimisht po lobon për rritjen e ekonomisë së Kosovës, duke insistuar në rritjen e investimeve të huaja. Kosovës i është dashur një kryeministër i tillë, i cili përveç kësaj, gëzon përkrahjen e madhe të SHBA-ve dhe Evropës”- shkroi ai këtë të premte.

Z. Pacolli, pra Rrahimi, e përkrahu Kurtin edhe për çështjen e targave, njëra nga temat më të diskutuara kohëve të fundit.

Vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për vërejtje dhe qortim sa i përket konvertimit të targave ilegale në ato RKS, është shumë i qëlluar. Ky vendim u lë hapësirë qytetarëve serbë të kuptojnë respektin dhe interesin e shtetit të Kosovës, që të jetojnë të gjithë të barabartë në vendin e të ardhmes dhe perspektives”- shkroi ndër të tjera Rrahim Pacolli.

Kujtojmë që z. Rrahim Pacolli kishte dhënë dorëheqje nga AKR-ja në vitin 2019.

Si një ndër themeluesit e parë të Aleanca Kosova e Re më 2006 dua t’ju njoftoj se që nga sot jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Sekretarit Organizativ të AKR-së si dhe nga partia”- kishte shkruar z. Pacolli më 2019.

Lajme të ngjashme