Buzhala për ndërprerjen e grevës: Humbja e Rrahmanit më e vlefshme se fitorja e Albinit - NACIONALE

Buzhala për ndërprerjen e grevës: Humbja e Rrahmanit më e vlefshme se fitorja e Albinit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbrëmë u publikua edhe episodi i radhës i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Temë parësore e pjesës së 30 të emisionit që po shënon rritje enorme në të gjitha platformat sociale ishte rizgjedhja e Albin Kurtit në krye të Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, autori Buzhala zgjeroi edhe tema të tjera ndërlidhëse me rrugëtimin e deritanishëm të shefit të ekzekutivit, e ku pashmangshëm s'mund t'i largohej dot asaj më aktuales, grevës së SBAShK-ut, fundi i së cilës po shihet në horizont, pas tërheqjes së Jasharajt.

Buzhala e vlerësoi tejmase këtë lëvizje të të parit të sindikatës, duke thënë se humbja e tij, gjithmonë nëse mund të etiketohet si humbje, është më e vlefshme sesa fitorja e Albinit.

"SBAShK-u ka vendos me ndërpre grevën. Negocimi me kryeministrin Kurti prej pozitës së më të fortit ishte i pamundur. Ndonjëherë, humbjet, nëse mund ta quajmë humbje e SBAShK-ut nga kjo betejë, janë më të vlefshmet se fitoret. E ndonjëherë fitoret sikur ajo e Kurtit janë më të hidhura sesa humbjet", tha fillimisht gazetari.

Më pas, ai shtoi se afër 300 mijë fëmijë nuk kanë shkuar në shkollë, e ku kanë regjistruar miliona orë të humbura, ani pse sipas tij këto orë mbase nuk janë ekuivalente me orët respektive në Angli e Gjermani, por tek e fundit janë të rëndësishme.

"Për një muaj, 300 mijë fëmijë u ngujuan në shtëpitë e tyre, në anën tjetër qeveria, udhëheqësit e institucioneve, kanë vrapuar prej një varrimi në një varrim tjetër, prej një ngjarje të kotë, në një ngjarje tjetër të kotë, prej një takimi me Vuçiqin në një fotografi me Vuçiqin, pa pikën e brejtjes së ndërgjegjies, kanë humbë miliona orë shkollë, nuk po them që këto miliona orë shkollë janë ekuivalentë me miliona orë shkollë le të themi të Gjermanisë ose Anglisë, sido që të jetë, janë orë të vlefshme, qoftë edukative, qoftë arsimore, për këta fëmijë që gjatë gjithë muajit shtator, në vend të bankave shkollore janë shtrirë nëpër kanapetë e shtëpive, banesave apo apartmenteve të tyre".

Në vijim, me shikuesit dhe lexuesit ai shpalosi një histori të një mbreti, që sipas Biblës kishte ndarë drejtësinë në një rast diskutabil, duke e vënë në një linjë me atë të përballjes Kurti - Jasharaj.

"Është një rrëfim nga Bibla, thirret Gjykimi i Solomonit. Gjykimi është ky: Mbreti Solomon ishte përballë njëherë me dy nëna, të cilat kishin shkuar te ai dhe po kërkonin ndarjen e drejtësisë. Në duart e tyre mbanin një foshnje të gjallë e një të vdekur, edhe po insistonin te mbreti Solomon që foshnja e gjallë ishte e tyre, kurse e vdekura jo. Sipas Biblës, ishte një situatë kritike për mbretin, i cili thotë: në rregull, drejtësinë po e ndajmë kështu: foshnjën e vdekur lëshojeni në tokë, kurse atë të gjallën po e ndajmë në gjysmë. Ti për një dorë, ti tjetra për një dorë, unë po e prej, gjysmën e merr ti, gjysmën kjo tjetra".

Në pjesën e fundit, ai vuri në paralele gjestin e Jasharajt për t'u tërhequr, njëjti siç kishte vepruar edhe nëna e vërtetë te foshnja e rastit të gjykimit nga mbreti.

"Në këtë rast, nëna e vërtetë, duke u përballur me këtë gjykim, që për të ishte fatal, vendos me heqë dorë nga foshnja edhe thotë le ta merr kjo tjetra edhe pse e dinte që ishte e saj. Sepse dashuria për të ishte më e madhe sesa me nda përgjysmë. Në mesin e Albin Kurtit dhe Rrahman Jasharajt, kur erdha momenti me vra arsimin, ne jemi duke e parë që dorën e foshnjës e lëshoi Rrahmani. Se sa për Albinin, ky pat me nda në mes arsimin, gjysmën me ia lënë Rrahmanit, gjysmën me ia lënë vetes".

Sipas Berat Buzhalës, ne kemi mësuar diçka nga kjo situatë, atë se dinjiteti është i rëndësishëm, kurse meritat më të mëdha për këtë ia atribuon përfaqësuesit të sindikalistëve, duke thënë se na mësoi. Na dha një leksion.

"Mësimi kryesor që e kemi pa prej kësaj situate, dramatike, ishte, e para: një burrë i moshuar, i sjellshëm, modest, që po luftonte për industrinë e vet, që po i përfaqësonte mësimdhënësit, duke rrezikuar edhe shëndetin e vet, sepse thuhet që ka probleme me tension, i ka problemet e moshës, po sakrifikohej dhe u shndërrua në target të militantëve dhe partizanëve partiakë, por ai na dëshmoi një gjë, që dinjiteti është tepër i rëndësishëm".

Më poshtë edhe pjesa e zgjeruar këtu, ndërsa lart gjeni episodin e plotë. Shikim të këndshëm.

Lajme të ngjashme