Brenda dy ditëve: dy thirrje dhe dy shpresa për liberalizimin e vizave në Kosovë
Liberalizimi i vizave ishte dhe mbetet një ndër synimet dhe shpresat më të mëdha për çdo Qeveri e qytetar për t’u realizuar. Ka vite e vite që një gjë e tillë është premtuar nga shumë vende, por, fatkeqësisht, premtimi nuk është përmbushur e për të cilin madje është bërë festë, sa e sa herë me shampanjë, në zyrat diplomatike në Kosovë.
E për këtë temë, veç për dy ditë, janë bërë dy thirrje nga krerë të lartë shtetërorë të vendeve të ndryshme dhe dy shpresa nga të parët e vendit tonë se liberalizimin Kosova e meriton dhe se shpejt do të ketë zgjidhje finale.
Në Samitin e Brdo- Brijunit, i cili u mbajt të hënën në Slloveni në nivel të liderëve, ku e pranishme ishte edhe presidentja Vjosa Osmani, u kërkua nga i pari i këtij vendi, Borut Pahor, liberalizimi i vizave.
Pahor tha se deri në fundit të vitit 2022, liberalizimi për Kosovën duhet të ndodhë.
“Ne bëjmë thirrje për heqjen e regjimit të vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022”, deklaroi Pahor.

E një ditë pas kësaj, në Prishtinë zbarkoi presidentja e Hungarisë, Katalin Novak. Me të përfunduar takimin me homologen e saj, Vjosa Osmani, tha se mund të llogarisim në Hungarinë për liberalizimin e vizave.
“Ne do të bëjmë çdo gjë që kemi mundësi që Kosova të marrë liberalizimin e vizave. Ne duam që vizat për Kosovën të hiqen sa më shpejt. Ne kemi qenë për heqjen e vizave dhe duam që ato të hiqen sa më shpejt. Ju mund të llogarisni te ne për heqjen e vizave. Ne e përkrahim procesin e integrimit në aleancën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, gjatë vizitës së saj zyrtare, më 13 shtator, në Prishtinë.

Por, përveç liderëve të këtyre dy vendeve, shpresa për liberalizim gjatë këtyre dy ditëve dhanë edhe presidentja Osmani e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Osmani e Bislimi optimist se liberalizimi do të ndodhë këtë vit
Presidentja Osmani, gjatë konferencës me presidenten e Hungarisë, tha se kjo temë duhet të përfundojë gjatë këtij viti.
“Ne llogarisim në rolin tuaj aktiv brenda institucioneve të Bashkimit Evropian, por edhe tek anëtarët veç e veç në mënyrë që liberalizimi i vizave për kosovarët të përfundojë gjatë këtij viti, gjatë qeverisjes çeke, sepse është koha. Llogarisim edhe në mbështetjen e Hungarisë në procesin e liberalizimit”, tha Osmani gjatë konferencës me të parën e Hungarisë, Novak.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të martën tha se janë duke bashkëpunuar me shtetet anëtare në lidhje me liberalizimin e vizave për kosovarët. Sipas tij, qeveria beson se liberalizimi shumë shpejt do të ketë zgjidhje finale.
“Ne kemi bashkëpunim me secilën qeveri nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe jemi duke adresuar çfarëdo brenge sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe jemi shumë konfident që kjo çështje shumë shpejt do të gjejë zgjidhje”, tha Bislimi dje.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se liberalizimi vështirë se do të realizohet edhe në vitin 2022.
Problematike për këtë çështje, profesorët e marrëdhënieve ndërkombëtare e shohin moslobimin e Kosovës te pesë shtetet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

