Fatkeqësia ka ndodhur, liberalizimi i vizave është ndërlidhur me dialogun me Serbinë - NACIONALE

Fatkeqësia ka ndodhur, liberalizimi i vizave është ndërlidhur me dialogun me Serbinë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori ekzekutiv i Institutit Epik, Demush Shasha, ka treguar se BE-ja procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën e ka ndërlidhur me procesin e dialogut me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se kjo ndërlidhje e cila para dy vitesh është parë vetëm si rrezik, sot është fakt. Sipas tij, nuk ka zyrtarë të lartë të BE-së dhe SHBA-së, që nuk thotë se avancimi i dialogut për normalizim të marrëdhënive me Serbinë është kyç në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Në këtë intervistë, Shasha flet për kritikat e kosovarëve për Brukselin, qasjen e BE-së ndaj Kosovës dhe ndikimet që mund t'i sjellë lufta e Ukrainës në raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

NACIONALE:

Shasha, edhe këtë vit Kosova, 9 Majin, Ditën e Evropës, po e feston si festë zyrtare. Çfarë do të thotë për Kosovën kjo datë?

Shasha:

Kuptoj se ka qytetarë që shohin 9 Majin, Ditën e Evropës, si një ditë hipokrizie. Si një ditë feste për Evropën në kohën kur Evropa nuk lejon që Kosova të festojë të drejtën më Evropiane të vetë Evropës – lirinë e lëvizjes. Sidoqoftë, konsideroj se rëndësinë e Ditës së Evropës duhet parë jashtë padrejtësisë së përkohshme të liberalizimit të vizave. 9 Maji simbolizon përfundimin e kapitullit më të errët të historisë së njerëzimit dhe fillimin e epokës më të ndritshme të historisë së tij. Me përfundimin e luftës së dytë botërore, bota ka hyrë në erën më prosperuese që ka njohur civilizimi. Për vetë Evropën, 9 Maji simbolizon nisjen e projektit politik, ekonomik dhe social, i cili ka mundësuar që kontinenti evropian të gjejë paqe dhe prosperitet të paimagjinuar ndër shekuj. Projekti i Bashkimit Evropian realizoi në paqe atë që perandoritë dështuan me dhunë. Prandaj, përkundër zhgënjimit të drejtë të qytetarëve tonë për mungesën e liberalizimit të vizave, besoj se është shumë e rëndësime për kujtesën tonë kolektive që të shënojmë ditën e Evropës me qëllim që asnjëherë më paqja dhe prosperiteti të mos merren si të garantuara, por si vlera të cilat duhet t’i ruajmë dhe ushqejmë me xhelozi çdo ditë.

NACIONALE:

Viteve të fundit kosovarët kanë shtuar kritikat ndaj BE-së. Si i keni parë këto kritika?

Shasha:

Kjo është e kuptueshme duke pasë parasysh mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët tonë. Jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për të gjithë qytetarët e Evropës, liria e lëvizjes është një nga përfitimet më të rëndësishme dhe më praktike në kuadër të projektit Evropian.

Sidoqoftë, unë gëzohem se përkundër mungesës së liberalizimit të vizave, sondazhet vazhdojnë të tregojnë se mbi 90% e qytetarëve vazhdojnë të mbështesin rrugën tonë integruese. Kjo është indikator i pjekurisë së shoqërisë sonë. Unë besoj se qytetarët kuptojnë drejt se rruga jonë evropiane nuk minimizohet vetëm në liberalizimin e vizave, por ajo është udhërrëfyesi më i mirë që kemi si shoqëri për përmirësimin e cilësisë së jetës sonë këtu në Kosovë – nga arsimi dhe shëndetësia, e deri te sundimi i ligjit dhe cilësia e ajrit.

NACIONALE:

Avancimi i Kosovës drejt BE-së ka qenë i varur nga procesi i dialogut me Serbinë. Ka qenë i drejtë ky kushtëzim?

Shasha:

Mendoj se nuk është e dobishme të diskutojmë nëse ka qenë i drejtë apo jo, pasi që ai kushtëzim është aty dhe nuk kemi çfarë të bëjmë përveç të adresojmë. Një njëri që sëmuret nuk ka dobi nga diskutimi nëse sëmundja është e drejtë apo jo, por duhet bërë çdo gjë për të adresuar shkaqet dhe pasojat e sëmundjes.

Sikur në rastin e Maqedonisë së Veriut, ata kanë humbur 30 vjet duke diskutuar nëse është i drejtë apo jo ndryshimi i emrit, por ajo nuk e ka bërë problemin të zhduket. Vetëm kur kanë parë problemin në sy, Maqedonia e Veriut ka arritur të avancojë perspektiven e saj euro-atlantike. Njëjtë është edhe rasti i Shqipërisë. Ata kanë kuptuar se vettingu është i paevitueshëm dhe rrjedhimisht kanë marrë vendimet serioze dhe të përgjegjshme për avancimin e së ardhmes së tyre.

Në këtë kontekst, mendoj se ne si shoqëri duhet të gjejmë forcë që të përmbyllim dialogun me Serbinë me qëllim të bashkimit me vendet tjera të rajonit drejt integrimit në BE.

NACIONALE:

Prej vitesh Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, por ende mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave. Sa e ka dëmtuar kredibilitetin e saj BE-ja me këtë proces?

Shasha:

Besoj se e ka dëmtuar, por siç thashë më lart gëzohem se përkundër mungesës së liberalizimit të vizave sondazhet vazhdojnë të tregojnë se mbi 90% e qytetarëve vazhdojnë të mbështesin rrugën tonë integruese. Kjo është indikator i pjekurisë së shoqërisë sonë. Asgjë nuk do të përfundojë në ditën e liberalizimit të vizave. Të gjitha problemet që kemi si shoqëri do të jenë ende aty. Prandaj, besoj edhe qytetarët kuptojnë se përkundër rëndësisë së një vikendi turistik në Romë, Paris apo Berlin, shumë më e rëndësishme është cilësia e spitaleve dhe shkollave tona këtu ku jetojmë. Dhe mënyra më e mirë për avancimin e jetës tonë këtu në Kosovë është ndërtimi i një modeli jete sikur në Romë, Paris apo Berlin. Jo ikja drejt tyre.

NACIONALE:

Kush mendoni se është fajtori kryesor që sot kosovarët nuk kanë liberalizim të vizave?

Shasha:

Mendoj se përgjegjësia ndahet në dysh. Përgjegjësinë e kanë politikanët Kosovarë dhe BE-ja. BE-ja për arsye evidente, por pse politikanët Kosovarë? Në vitin 2016, Kosova ka pasur mundësinë e artë për liberalizimin e vizave. Në vitin 2016, BE-ja hapi dyert Kosovës, Ukrainës dhe Gjeorgjisë që të jenë pjesë e Zonës Shengen. Sidoqoftë, skena politike e Kosovës refuzoi këtë ofertë duke mbajtur kështu qytetarët e Kosovës të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa të drejtën e lëvizjes së lirë.

Tani, që nga viti 2016, gjërat kanë shkuar duke komplikuar nga viti në vit. Kosova në vend të avancimit të sundimit të ligjit në vazhdimësi ka shënuar regres. Nga viti në vit regresi ishte aq i madh saqë raportet ndërkombëtare kishin zyrtarizuar shprehjen “kapja e shtetit”, ndërsa zyrtarët e lartë të shtetit u akuzuan për lidhje të drejtpërdrejtë me krimin e organizuar. Kësisoj ka qenë e pamundur të bindet BE-ja për progres në sundimin e ligjit. Kosova ratifikoi demarkacionin vetëm në vitin 2018. Sidoqoftë, në vitin 2018 dritarja e mundësisë kishte ikur dhe në BE ekzistonin prioritete të tjera. Nga viti 2020 diskutimi për lirinë e lëvizjes në kohë pandemie ka qenë i pamundur. Ndërkohë, po ashtu, fatkeqësisht, procesi i liberalizimit të vizave është ndërlidhur me dialogun me Serbinë.

NACIONALE:

A ekziston rreziku që edhe ky proces të kushtëzohet me dialogun e Brukselit me Serbinë?

Shasha:

Përderisa para dy vitesh kjo është parë si rrezik, sot mund themi lirshëm se këto dy procese janë të ndërlidhura. Së paku joformalisht. Nuk ka asnjë zyrtar të lartë të SHBA-ve apo BE-së që nuk përsërit togfjalëshin e famshëm: Avancimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është kyç për të ardhmen Evropiane të Kosovës.

NACIONALE:

Agresioni rus në Ukrainë, sa pritet të ndryshojë qasjen e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Shasha:

Është shumë herët për të thënë. Tani për tani nuk ka ndonjë indikacion konkret përtej retorikës së kohëpaskohshme politike nga ana e zyrtarëve perëndimorë. Testi i parë do të jetë hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe liberalizimi i vizave për Kosovën. Nëse BE-ja me të vërtetë vlerëson se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë duke u kërcënuar nga veprimet malinje të Rusisë, atëherë vendimet përkatëse për të ardhmen evropiane të këtyre tri shteteve janë pikënisje për zmbrapsjen e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Lajme të ngjashme