"Bota Serbe": Zv. kryeministri Bislimi paraqet "dëshminë" për qëllimet e vërteta për Asociacionin nga Serbia
Zv. kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka denoncuar një non-paper të Asociacionit që kësaj here duket se vjen nga Serbia, më saktë nga një akademik serb, për të përforcuar pozicionin aktual të Qeverisë së Kosovës.
Në një seri postimesh në Twitter, z. Bislimi ka deklaruar se ky ‘non-paper’ e dëshmon që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk e kishte asnjëherë qëllim integrimin e serbëve në Kosovë nga pala serbe.
“...(qëllimi ishte që Asociacioni të përdorej) si Kalë Troje i Beogradit për ta bërë vendin disfunksional, kësisoji duke përgatitur rrugën për ndarje.” – argumenton z. Bislimi.
Emri i akademikut serb që e ka përgatitur këtë draft është Vasilije Krestiq.
Sipas Bislimit, ky non-paper i Krestiqit ofronte “dëshminë më të fortë deri tash të qëllimeve të vërteta prapa ngulmimit të Serbisë për Asociacionin në Kosovë.”
Bota serbe
Bislimi ofron disa dokumente në atë seri postimesh në Twitter. Sipas tij, aty thuhet edhe fjalia si vijon:
“Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është objektiv në vetëvete, por më shumë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt qëllimit gjithëpërfshirës të “botës serbe” (Srpski svet) që përkon me territorin e ish-Jugosllavisë.”
Më tej, Bislimi citon këtë non-paper derisa thotë:
“Dizajni fillestar i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është jorelevant, pasi kompetencat e saj do të evoluojnë dhe do të eksploatohen shkaku i mbështetjes financiare të Beogradit dhe mungesës së mbikëqyrjes nga Qeveria e Kosovës.”
Sipas tij, akademiku serb parasheh që Asociacioni me kalimin e kohës do të bëhet një Republika Srpska e re me qëllimin për t’u ndarë nga Kosova.
Në bazë të dokumenteve të ofruara, data e këtij non-paperi është 7 shkurti i vitit 2023.
Kujtojmë që edhe Bislimi, ashtu si edhe Kurti, ishin akuzuar nga emisari amerikan Gabriel Escobar se po merreshin gjithë kohën me Serbinë dhe jo me vlerat e Kosovës.
Sipas z. Escobar, Asociacioni do ta forconte sovranitetin në veri të Kosovës duke e hequr kontrollin e Serbisë.
Kujtojmë se ShBA dhe BE në vazhdimësi kishin dhënë garancione se Asociacioni do të ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa në anën tjetër Serbia ka kërkuar haptas që Asociacioni të jetë me kompetenca ekzekutive.
Sot, kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh se e kishte dërguar një draft të statutit të Asociacionit te presidenti francez Emmanuel Macron dhe te kancelari gjerman Olaf Scholz.
🇽🇰 has repeatedly warned the int'l community about Serbia's true reasons for insisting on ASMM's formation. ASMM was never intended to integrate local Serbs into Kosova, but as Belgrade's Trojan Horse to make the country dysfunctional, thus preparing the way for partition. 1/10
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) June 8, 2023

