Boris Johnson nuk pyet, viziton sërish Ukrainën - NACIONALE

Boris Johnson nuk pyet, viziton sërish Ukrainën

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pavarësisht paralajmërimeve nga figura të larta ushtarake se Boris Johnson duhet të qëndrojë larg dhe të ndalojë “kërkimin e publicitetit”, ai ka vizituar sërish Ukrainën.

Ish-kryeministri është parë në periferi të Kievit ditën e dielë, duke thënë se ai ishte ftuar nga presidenti Volodymyr Zelensky për të vizituar vendin edhe një herë – ndërsa u kërkoi udhëheqësve perëndimorë t’i japin Ukrainës “të gjitha mjetet që u nevojiten”.

Në një deklaratë të dhënë, ish-kryeministri britanik tha se: “Është një privilegj të vizitosh Ukrainën me ftesë të presidentit Zelensky. Vuajtjet e popullit të Ukrainës kanë vazhduar për një kohë të gjatë. E vetmja mënyrë për t'i dhënë fund kësaj lufte është që Ukraina të fitojë - dhe të fitojë sa më shpejt të jetë e mundur".

Ai më tej ka thënë se ky ishte momenti për të dyfishuar ndihmën dhe për t’u dhënë ukrainasve të gjitha mjetet që u nevojiten për të përfunduar punën.

“Sa më shpejt të dështojë Putini, aq më mirë për Ukrainën dhe për të gjithë botën”- ka thënë Johnson.

Sipas The Independent, Johnson nuk i ka kërkuar leje Numrit 10 për këtë vizitë – udhëtimi i tij i katërt në Ukrainë që nga pushtimi rus. Megjithatë, nga Downing Street është thënë se Sunak ishte "mbështetës" i vizitës së tij.

Sekretari i shtypit i kryeministrit tha të dielën se zoti Sunak është "gjithmonë mbështetës për të gjithë kolegët që tregojnë se Mbretëria e Bashkuar është pas Ukrainës dhe do të vazhdojë t'i mbështesë ata".

Lajme të ngjashme