“Bojkot; fjala e lirë e klaneve”: VV-ja vazhdon sulmet ndaj protestës së gazetarëve
Pushteti, më saktësisht eksponentë të VV-së si deputetë, anëtarë të kryesisë, por edhe personazhe mediatike të afërta me Qeveriën Kurti, kanë vazhduar sulmet ndaj protestës. Shumë nga ta, u “mobilizuan” të shpërndajnë fotografinë e një aktivisti të devotshëm të VV-së, i cili doli në një “protestë” kundër protestës së gazetarëve. Çka po shkruan VV-ja?
Një gjë duket evidente: pushteti është në panik, i frikësuar nga protesta e gazetarëve. Shumë eksponentë të VV-së e komentuan protestën e thirur nga AGK-ja qysh dje dhe e vazhduam edhe sot në mëngjes. Por reagimet në sinkron të VV-së po vazhdojnë edhe tash pas protestës.
Ndër të parët që shkroi ishte deputeti Arbër Rexhaj, i cili e shpërndau një fotografi të Erion Beqirajt, aktivist i VV-së, i cili doli në një kundër-protestë me një pankartë. Rexhaj shkroi dy thirrje, që në fakt janë parulla.
“Republika e Kosovës.
Rroftë Republika e Kosovës!” – shkroi ai.
Sikurse Rexhaj kanë vepruar edhe disa aktivistë të tjerë të VV-së, përfshirë deputeten Arjeta Fejza. Ndërsa për protestën shkroi edhe Beqiraj, i cili u “ankua” për sjelljen e gazetarëve të cilët po protestonin.
“Si duket disave nuk iu pëlqeu fjala ime e lirë dhe një gazetare ma mori parullën nga dora dhe e shqyi atë. Pra, fjala e lirë nuk po i pëlqen këtyre që po thirrin për "fjalë të lirë"” – shkroi ai.
Këtë fotografi e kanë shpërndarë shumë aktivistë të VV-së e përkrahës të pushtetit, përfshirë dy personazhet Rron Gjinovci e Shkëlzen Gashi.
Sigurisht, kundër protestës ka shkruar edhe Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve të VV-së. Mihali nis duke thënë që është “e vërteta” ajo që “e prodhon lirinë kur ajo përdoret” duke e cilësuar atë si kategori morale bashkë me lirinë. Ajo nuk citon në këtë ligjëratë ndonjë eticien të caktuar për të mbështetur pretendimin e saj.
“Nëse e di që diçka është e vërtetë por dështon ta thuash a përdorësh atë, nuk prodhohet kurrfarë lirie.” – pretendoi më tej znj. Mihali në postimin e publikuar në Facebook.
Ajo më pas del te shkeljet e pretenduara të mediumit Klan Kosova për të cilat pushteti i hoqi licencën e biznesit.
“E vërteta sot për shembull është që interesat e Kosovës janë nën sulm nga një shtet si Serbia. Gjakova është qytet i Kosovës.” – shkruan Mihali. Në fakt, kjo është e vërteta e Kosovës tash e më shumë se tri dekada.
Më pas ajo përmend se si Gjakova është “historikisht shqiptare” që para 110 vitesh kishte mbetur e ndarë edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Kundër protestës së gazetarëve shkroi edhe Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së VV-së, që dikur ishte edhe këshilltar i Kurtit.
“Protestuesit e sotëm grisën parullën ku shkruhej se Gjakova dhe Peja janë të Kosovës. Ndoshta për ta është fjalë e lirë vetëm Kosovë-Metohi. Fjala e lirë e klaneve nuk është ajo e kombit.” – shkroi ai.
Ndërsa këshilltari i Kurtit, Bekim Qoku, pretendoi se i ka gjetur dy kundërthënie në parullën e protestës së gazetarëve. Qoku ka shkruar se kundërthënia e parë është se protesta po realizohet në mes të ditës në rrugë dhe se protesta po organizohet me anë të lejës nga qeveria më demokratike e rajonit. Leja është marrë nga Policia e Kosovës e jo nga Qeveria Kurti, partia e të cilit dikur nuk merrte leje as nga policia.
Qoku e ka shkruar edhe një tjetër “kundërthënie” që në fakt është kundërthënie e vetë z. Qokut. Përderisa Qoku shkruan se Kurti ka pothuajse të gjithë medien kundër, ndonëse Qeveria Kurti gëzon mbështetjen popullore mbi 60 për qind.
Është lehtësisht e rrokshme kundërthënia e Qokut: si është e mundur të jetë demokratike një qeveri që vendos arbitrarisht, pa asnjë arsyetim ligjor, të pezullojë një certifikatë të një medie?
Ndërsa deputeti Ardian Gola e shpërndau statusin e një qytetari me emrin Agim Morina, në të cilin kërkohej bojkotimi i Klan Kosovës dhe lënia e punës nga ana e gazetarëve të këtij televizionit. Madje aty barazohej Klan Kosova me Serbinë.


