VV-ja nis sulme tjera ndaj gazetarëve pasi aktivisti i tyre provoi ta pengonte protestën - NACIONALE

VV-ja nis sulme tjera ndaj gazetarëve pasi aktivisti i tyre provoi ta pengonte protestën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një aktivist i partisë në pushtet provoi të pengonte protestën e sotme të gazetarëve në Prishtinë kundër pezullimit të licencës së biznesit të mediumit Klan Kosova. A ishte e orkestruar një gjë e tillë?

Aktivisti me emrin Erion Beqiraj, pasi u bë pjesë e protestës e vendosi një pankartë në të cilën pretendohej se ndodheshin të dhënat e vendosura të Klan Kosovës ku emrat e qyteteve të Kosovës – Pejë e Gjakovë – shkruheshin në gjuhën serbe.

Ky aktivist më pas është viktimizuar duke thënë që “si duket disave nuk iu pëlqeu fjala ime e lirë dhe një gazetare ma mori parullën nga dora dhe e shqyi (shqeu) atë.”

Aktivisti në fjalë – përkundër që i takon një partie me përvojë në organizim protestash – duket se nuk e dinte që protestën ose kundërprotestën e tij mund ta bënte lirshëm në ndonjë vend tjetër.

A kishte orkestrim?

E çuditshmja është se aktivisti i VV-së që tentoi të pengonte protestën po mbrohet nga të tjerë aktivistë më me nam në këtë parti që sot kanë edhe funksione shtetërore.

Postimi i tij në Facebook deri tash i ka marrë gati 200 shpërndarje, e ku përfshihen edhe ato nga analistët Shkëlzen Gashi e Rron Gjinovci.

Por, postimi në fjalë është shpërndarë edhe nga deputeti Enver Dugolli, shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë Gëzim Sveçla, asamblisti Egzon Azemi e të tjerë.

Mjaft interesant ishte edhe një reagim i aktivistes dhe këshilltares së minsitres Albulena Haxhiu me emrin Berita Abazi.

“Gazetari ia shqyen parullën këtij të riu. Fjala e lirë...”postoi ajo në rrjetin social Twitter.

Reagim pati edhe nga ana e deputetes Fitore Pacolli që sërish foli për strukturat e pronësisë së medias.

Deputeti tjetër i VV-së Besim Muzaqi shkroi për atë pankartë se “përbrendëson sakrificën, luftën dhe krenarinë e LIRISË!”

Ai vazhdoi tutje me qasje paragjykuese duke thënë: “Fatkeqësisht kjo ju pengoi gazetarëve protestues dhe e shqyen. Në emër të fjalës së lirë po mbështetet propaganda kundër Republikës e financuar nga ‘rublat’ ruse dhe e maskuar në ‘parajsa financiare’ nga avokat të kariçëve e Lukashenkos.”

Edhe Arianit Beqiri, asistent i Kryeministrit Kurti, bëri postim për një gjë të tillë duke thënë: “Në protestën për “fjalën e lirë” kjo parullë i qenka shky një të riu. Ndoshta atij/asaj që e ka shky, nuk i ka pëlqy që Gjakova e Peja janë Kosovë.”

Ndërkohë, në postimin e bërë nga Beqiraj ka shumë komente të cilat në mënyrat më banale të mundshme fyejnë rëndë gazetarët e Kosovës duke i lidhur ata me Serbinë.

Lajme të ngjashme