Jemi në protestë! - NACIONALE

Jemi në protestë!

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazetarët e Nacionales nuk do të punojnë gjatë kohës së protestës që shenjon revoltën për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Jemi në protestë!

Kjo protestë është organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe fillon prej orës 12:00 në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Eksponentë të ndryshëm të pushtetit – filluar nga deputetë e teposhtë – janë shfaqur dukshëm të brengosur në lidhje me protestën në fjalë.

Ata po mbrojnë vendimin e marrë nga Ministria duke pretenduar që e gjithë çështja nuk ka të bëjë me teknikalitet.

Pse po protestohet?

AGK-ja ka shkruar se kjo protestë do të mbahet me moton “Demokracia vdes në errësirë” dhe bëhet pas vendimit të së premtes në të cilin nuk u revokua vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Asociacioni ftoi gazetarët që të bënin protestë paqësore.

Shqetësuese në vazhdimësi përgjatë këtyre dy viteve ka qenë edhe gjuha e urrejtjes dhe mosdurimit e bërë nga eksponentë të pushtetit ndaj medieve të ndryshme të vendit, përfshirë edhe shefin e stafit të kryeministrit, Luan Dalipin.

Kurti asnjëherë në mënyrë eksplicite nuk i kishte dalë kundër kësa gjuhe.

Çka kishte thënë Kurti?

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, po ashtu ka folur në lidhje me çështjen në fjalë duke hedhur pretendime të errëta derisa përdorte fjalë shqetësuese si “biznesmenë të fuqishëm”, “interesa të fuqishme”, “njerëz të tillë” etj.

Ai pretendonte se trupat e autorizuar për të vendosur për raste si ai i Klan Kosovës nuk ishin pjesë e Zyres së Kryeministrit. Por, Kurti nuk tregonte që pasi vendimi fillimisht ishte tërhequr, në krye të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) ishte emëruar motra e deputetit të VV-së, Enver Halitit, Lebibja.

Nacionale do të kthehet në punë pas përfundimit të protestës dhe iu kërkojmë falje lexuesve tanë për një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme