Mobilizohet pushteti për ta demonizuar në start protestën e gazetarëve, nga se po kanë frikë?
Vendimi brutalisht disproporcional dhe arbitrar për të mbyllur një media në Kosovë jehoi rëndë në mendjet e shumëkujt që demokracinë e ka jo vetëm ideal politik, por edhe etik. Klan Kosovës pushteti i Qeverisë Kurti, ua morri të drejtën për të operuar dhe transmetuar, dhe për të justifikuar se gjoja se “nuk dëmtohet pluraliteti medial” ata nxorrën shifra trullosëse që përktheheshin kështu: Mbyllet një, mbesin edhe 460 tjera. E frikshme sa s’bëhet. Gazetarët e mediave të pavarura sot protestojnë kundër kësaj goditjeje në shpirt të demokracisë, ndërsa ata që supozohet të jenë bartësit shtetëror të demokracisë i gdhendën germat mbrëmë nëpër rrjete në Facebook, për të demonizuar dhe dekurajuar në start këtë protestë të – ta zëmë – të qindra gazetarëve.
Lëvizja (tash parti) Vetëvendosje, protestën e ka pasur mjetin e saj konstituues në jetëgjatësin e saj politike dhe të aktivizmit. Por, sot, tryezat janë rrotulluar. Deputetët e kësaj partie lëshuan çka-mos për ta bërë këtë protestë të duket në start si në mbrojtje të oligarkëve dhe kundër mbrojtjes së lirisë së shprehjes. Nga se po frikësohen? Udhëheqësi i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, në një reagim të tij shkroi se “Facebook-un dhe Twitter-in e kanë mbushur me profile të rreme për të mos e lejuar qytetarin të shprehë mendimin e vet”.
Në atë që deputetë si Armend Muja, Ardian Gola, Valon Ramada dhe Dimal Basha, e dhanë të kuptohet si protestë që s’ka të bëjë me mbrojtjes dhe lirinë e medias, ka reaguar edhe gazetari Imer Mushkolaj, i cili me disa pyetje, ua ktheu përmbys logjikën deputetëve të lartpërmendur.
“Gazetarët kanë raportu edhe për homologimin, edhe për Z Mobile, edhe për plot çështje tjera. Edhe atëherë i paskan mbrojtë Devollët, a? Gjuha e pushtetit nuk është veç e poshtër, por edhe e rrezikshme. Debilla!”, shkroi Imer Mushkolaj.
Opinionisti Fitim Salihu, ua shpaloi edhe më tej logjikën e teknikaliteve për regjistrimet e biznesit me emra serbë si Gjakovica ose Peç.
“Me ju interesu juve se a shkruhet Djakovica apo Gjakove, nuk ishit bo pobratina me kryekriminelin Radojçiq. As ju kish pagu Gen-i i Jovica Stanishiqit. As ishit pajtu me leternjoftimet e strukturave paralele serbe. As e kishit pranu Elektroserverin qe Kosoven e quan Kosovo i Metohija. Hipokrita”, ka shkruar Salihu.
E për Salihun, këto tri vitet e fundit, opozita e vërtetë kanë saktësisht gazetarët – andaj edhe beteja, “për t’i frikësuar”.
“...media ka qene opozita e vertete ndaj keqqeverisjes se juve dhe media i ka nxjerre ne publik hajnite e juve milioneshe dhe tenderat per dosta. Edhe hipokrita edhe hajna. Prandaj, sot ne shesh ne oren 12 ne mbrojtje te lirise se medias”, shkroi Fitim Salihu.
Edhe filozofi dhe profesori unviersitar, Blerim Latifi, krejt këtë “mllef ndaj gazetarëve” prej pushtetit, e dha në të njëjtën trajtë, sepse, “gazetarët janë opozita e vetme faktike ndaj qeversië”.
“Një shkak tjetër i mllefit të papërmbajtur të pushtetarëve ndaj gazetarëve është se Vetëvendosje është ngritur mbi një tregim të madh populist, i cili, nga logjika e tij, kërkon hegjemoni në debatin publik. Një hegjemoni e tillë është intolerante ndaj tregimeve alternative mbi shoqninë e politikën. Në pamundësi për ta vendosur hegjemoninë me masa policore, zgjidhen mjete të tjera delegjitimuese, si bullizimi digjital, etiketimi si argatë të Serbisë, e gjëra të ngjashme”, ka shkruar Latifi.
Për këtë frikë të shpërfaqur nga pushteti prej protestës së gazetarëve, edhe gazetari Lirim Mehmetaj, i cili tha se edhe në protestën paraprake të veteranëve, maçineria propagandistike e këtij pushteti u lëshua në demoninizim të saj qysh në start.
“Për këdo që ka ra në kurthin e pushtetit dhe e trajton çështjen e Klan Kosovës si një çështje puro ligjore, mendoni pak për Martin Berishajn, Nagip Krasniqin, Rozeta Hajdarin, Donika Gërvallen, Arbërije Nagavcin, Mimoza Kusari-Lilën, Farku Mujkën e gjithë ata zyrtarë të tjerë që kanë probleme me ligjin”, ka shkruar Mehmetaj.
“Ama, çka kemi parë deri tani është se ky pushtet është tucan. E frikë më së shumti ka nga gazetarët. E kanë kuptuar që as s’i blejnë as s’i frikësojnë, të paktën shumicën prej tyre jo. N’12:00 n’shesh – me ia shti ethet pushtetit të tucanave”, ka shkruar mes tjerash Lirim Mehmetaj.