"Afera Vaji": Hetuesit 'zbarkojnë' në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë - NACIONALE

"Afera Vaji": Hetuesit 'zbarkojnë' në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nacionale ka mësuar që hetuesit nga Policia e Kosovës kanë ‘zbarkuar’ në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Ky ‘zbarkim’ në ministri besohet të ketë ndodhur për shkak të skandalit të vajit nga Polonia që dyshohet se nuk kishte ardhur asnjëherë në Kosovë, e për të cilën aferë kishte raportuar gazeta Nacionale.

Ministrja Rozeta Hajdari nuk kishte folur asnjëherë për këtë çështje pas publikimit të skandalit për të dhënë ndonjë sqarim në lidhje me çështjen. Nuk kishte folur as kryeministri Albin Kurti në mënyrë specifike.

Nacionale kishte publikuar një përgjim në të cilin dy zyrtarë të kësaj ministrie flisnin për këtë aferë. Ata e përmendnin edhe Ridvan Muharremin, një të afërm të kryeministrit Albin Kurti të cilit në një moment i referohen edhe si “dallaverxhi”.

Gazetari Berat Buzhala shpjegonte se si në restorantin e Ridvan Muharremit, figurë kyçe në këtë skandal, shkonte edhe vetë kryeministri Albin Kurti.

Kompania polake prej të cilës ishte blerë vaji për Rezervën Shtetërore i cili dyshohet që nuk ka ardhur asnjëherë në Kosovë quhej Xanto dhe ajo nuk ishte lajmëruar më. Veprimtaria e kësaj kompanie ishte "krejt diçka tjetër", tregonte gazetari Berat Buzhala në përgjimin e lëshuar.

Ti ministre qat kontratë e ke nënshkru, kqyr se qajo firmë s’ti pru,” - thuhet në një pjesë të audioincizimit të publikuar nga gazeta Nacionale.

Gazeta do të ju mbajë të informuar në lidhje me zhvillimet e reja që mund të ndodhin në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Gazeta po ashtu po provon të kontaktojë me Policinë e Kosovës për të mësuar më shumë në lidhje me aksionin e hetuesisë në MINT.

Kujtojmë se hetuesia kishte qenë edhe në zyret e gazetës Nacionale dhe e kishte marrë audio-incizimin ku dëgjoheshin dy zyrtarët e ministrisë duke folur për këtë skandal.

Lajme të ngjashme