‘Na ndaluan 85 km para Beogradit...unë nuk dola nga vetura’: Si iu pre Bislimit në gjysmë rruga drejt Serbisë? - NACIONALE

‘Na ndaluan 85 km para Beogradit...unë nuk dola nga vetura’: Si iu pre Bislimit në gjysmë rruga drejt Serbisë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një prej lajmeve kryesore në mediat vendore mëngjesin e së enjtes ishte vizita e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Serbi. Rruga për në Beograd, iu ndërpre 85 kilometra pa mbërritur atje. Çka tregoi numri dy i Qeverisë së Kosovës për rastin?

Bislimi parashihej që të enjten e të premten të qëndronte në Serbi, për të marrë pjesë në dy forume.

Siç bëri të ditur vetë ai, pritej që të ishte pjesëmarrës në tryezën e forumit për marrëdhënie etnike në një diskutim me korin diplomatik në Serbi e organizatatat e shoqërisë civile.

Ndërkaq, të premten, zëvendëskryeministri do të merte pjesë në forumin e Sigurisë së Beogradit, ku parashihej të diskutohej edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë event, ai ka mundësi që të kyçet nesër përmes Zoom apo Skype.

Bislimit nuk mund t’i ofrohej siguri

Sipas zëvendëskryeministrit, ky ishte arsetimi që përdorën autoritetet serbe për vizitën e tij, gjë të cilën, ai konsideron që tregon se Serbia është e dobët për t’i ofruar siguri pjesëmarrësve.

“Edhe sot gjithçka ishte në rregull, deri kur na thanë se Serbia nuk mund të ofrojë siguri apo siguria ka qenë e cënuar, për neve kjo është sinjal që Serbia nuk mund të punojë drejt normalizimit. Serbia po e pranon publikisht që ka elemente kriminale që duan ta cenojnë sigurinë dhe e pranon se është dobët për të ofruar siguri për pjesëmarrësit. Arsyeja është krejt diku tjetër, sepse ne kemi pasë për qëllim që Beogradit dhe korit diplomatik t’i ofrojmë versionin e Kosovës për zhvillimin dhe situatën”, ka thënë ai para mediave, pas mbërritjes në Kosovë.

Ndalesa, siç tha Bislimi, u bë 85 kilometra para arritjes në Beograd.

“Ndalesa ka ndodhur diku 85 kilometra para se të arrijmë në Beograd, është e palogjikshme që cenimi i sigurisë të ndodhë menjëherë. Kjo ka qenë dëshmi se si Serbia e sheh dëshirën apo gatishmërinë për normalizim të raporteve”, shtoi ai.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë ka thënë se nga policia serbe iu kërkua që të zhvendosën në një pushimore të rrugës.

Ndërkaq, pyetur për sjelljet e autoriteteve serbe, Bislimi tha se nuk ka dalë fare nga vetura, por se nuk ka pasur ankesa në lidhje me këtë çështje.

“Një polici, i është bashkuar konvojit dhe ka kërkuar nga konvoji që të zhvendoset në një pushimore të rrugës dhe pastaj i është komunikuar zyrës sonë që të kthehemi. Ka pasë vonesa dhe ka pasë deklarime se gjoja nuk do të lejohet një pjesë e vizitës se nuk qenka paralajmëruar me kohë, nuk e kemi marrë këtë si provokim, organizatorët u kujdesën që kjo të eliminohet menjëherë. Nuk ka pasur informacione (për kërcënimin e sigurisë), ka qenë krejt e shpikur. Unë nuk kam dalë nga vetura, por nuk kam pasë ndonjë vrejtje apo ankesë nga ana e Zyrës ndërlidhëse për sjelljen e tyre”, ka deklaruar ai në fund.

Reagime për ndërprerjen e vizitës

Me t’u publikuar lajmi se vizita është ndërprerë, nisën reagimet nëpër rrjete sociale.

Analisti nga Londra, Afrim Haliti përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka ironizuar me deklaratën e Bislimit, duke thënë se “duhet me qenë goxha trim për mos me dalë nga vetura”.

"Kudos kësaj rradhe për Bislen”, ka shkruar tutje ai.

Një reagim, e ka bërë edhe gazetari Parim Olluri, i cili në Facebook shkroi “Ruaje dinjitetin kah te kthehesh, o Besnik Bislimi”.

Ndërkohë, edhe profesori universitar, Milazim Krasniqi ka ironizuar me Bislimin, duke përmendur në shkrimin e tij edhe gazetarin Veton Surroi.

Pse nuk ka udhëtuar Besniku me Vetonin? Vetoni kish mbërri i sigurt në Beograd. Ose ka mujte me u nis para Vetonit. Nganjëherë hiperintelegjenca bahet pengesë”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të ngjashme