Bislimi kthehet në Kosovë: Na ndaluan rreth 85 km para se të shkonim në Beograd, unë s’dola nga vetura - NACIONALE

Bislimi kthehet në Kosovë: Na ndaluan rreth 85 km para se të shkonim në Beograd, unë s’dola nga vetura

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është deklaruar para mediave pas kthimit nga Serbia, ku parashihej që të merrte pjesë në dy ngjarje në Beograd, të cilat ai i konsideroi të rëndësishme.

Bislimi ka thënë se përveç pjesëmarrjes në dy forume, ishin paraparë edhe intervista me media të ndryshme dhe se kërkesa për vizitë, u paraqit që nga java e kaluar dhe më pas u aprovua.

“Sot dhe nesër ka qenë e paraparë që të jem pjesë e dy ngjarjeve me rëndësi në Beograd. Fillimisht në tryezën e forumit për marrëdhënie etnike, në një diskutim me korin diplomatik në Serbi dhe organizatat e shoqërisë civile…kurse nesër, në forumin e Sigurisë së Beogradit, ku është dashur të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi. Plus kemi parë të parapara edhe disa takime të tjera dhe intervista për media, për këtë e kemi paraqitur kërkesën qysh nga java e kaluar dhe u aprovua”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës ka deklaruar se edhe sot kur u nis për në Serbi, gjithçka po shkonte në rregull, deri kur iu thanë se “nuk mund t’u ofrohet siguri”.

“Edhe sot gjithçka ishte në rregull, deri kur na thanë se Serbia nuk mund të ofrojë siguri apo siguria ka qenë e cënuar, për neve kjo është sinjal që Serbia nuk mund të punojë drejt normalizimit. Serbia po e pranon publikisht që ka elemente kriminale që duan ta cenojnë sigurinë dhe e pranon se është dobët për të ofruar siguri për pjesëmarrësit. Arsyeja është krejt diku tjetër, sepse ne kemi pasë për qëllim që Beogradit dhe korit diplomatik t’i ofrojmë versionin e Kosovës për zhvillimin dhe situatën”, tha ai.

Sipas Bislimit, ndalesa është bërë 85 kilometra para se të mbërrinin në Beograd, derisa tha se Serbia po dëshmon qasjen e saj për normalizimin e raporteve.

“Ndalesa ka ndodhur diku 85 kilometra para se të arrijmë në Beograd, është e palogjikshme që cenimi i sigurisë të ndodhë menjëherë. Kjo ka qenë dëshmi se si Serbia e sheh dëshirën apo gatishmërinë për normalizim të raporteve”, shtoi ai.

Zëvendëskryeministri tutje ka treguar si u ndaluan nga policia, ku fillimisht, u është kërkuar që të zhvendosen në një pushimore të rrugës.

“Një polici, i është bashkuar konvojit dhe ka kërkuar nga konvoji që të zhvendoset në një pushimore të rrugës dhe pastaj i është komunikuar zyrës sonë që të kthehemi. Ka pasë vonesa dhe ka pasë deklarime se gjoja nuk do të lejohet një pjesë e vizitës se nuk qenka paralajmëruar me kohë, nuk e kemi marrë këtë si provokim, organizatorët u kujdesën që kjo të eliminohet menjëherë”, tha ai.

Bislimi ka konfirmuar se për rastin janë të njoftuar edhe ndërkombëtarët, ndërsa në konferencë, do të përpiqet që të marrë pjesë përmes “Zoom” apo “Skype”.

“Nuk ka pasur informacione (për kërcënimin e sigurisë), ka qenë krejt e shpikur. Unë nuk kam dalë nga vetura, por nuk kam pasë ndonjë vrejtje apo ankesë nga ana e Zyrës ndërlidhëse për sjelljen e tyre”, ka deklaruar ai në fund.

Lajme të ngjashme