Bislimi e shmang raportimin në komision, këshilltari këngëtar i tij mashtron për kourumin - NACIONALE

Bislimi e shmang raportimin në komision, këshilltari këngëtar i tij mashtron për kourumin

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Vetë e cakton, vetë nuk shkon. Arsyen e mungesës e jep të pavërtetë. Thotë se s’pati kuorum, dhe se “pikërisht për këtë” nuk shkoi, ndërkaq kuorumi s’u bë nga mazhoranca dhe partia që i përket vetë ai. Zëvendës Kryeministri për Integrime Evropiane njëherit edhe i ngarkuar me çështje të dialogut Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi, i iku raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, ku parashihej të raportonte për sanksionet e BE-së dhe ShBA-së ndaj Kosovës si dhe për ecurinë e bisedimeve të zhvilluara kohëve të fundit në Bratislavë dhe Bruksel me Përfaqësuesin Special e BE-së, Miroslav Lajçak.

Anëtarët e Komisionit po e prisnin dhe në mure kishin vendosur fotografi të Bislimit duke gjuajtur dhunshëm me shishe të ujit në drejtim të fytyrës së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, në ditën e përleshjes së madhe në Kuvendin e Kosovës, përleshje kjo që si shkak të parë të pashkaktuar e pati vetë Bislimin.

Këshilltari i tij për media njëherit këngëtar koverash, Klisman Kadiu, për të kush-e-di-të-satën-herë, doli për të kamufluar ikjen e Bislimit nga përgjegjësitë e tij të raportimit. Tha se “nuk pati kuorum” dhe se rrjedhimisht “nuk shkoi pikërisht për këtë” .

Kadiu i cili del të jetë ‘infektuar’ me enumeracion fjalimor të llojit të stërthjeshtuar të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndonëse amatershëm, shkroi se “nuk pati kuorum...e jo sepse nuk shkoi...nuk ishte...sepse nuk kishte kishte kuorum”.

Përbërja parlamentare shumicë e VV-së natyrisht se reflektohet edhe në shumicë në komision, dhe do të kishte mjaftuar vetëm deputetët e saj të ishin aty për të pasur kuorum. Por, Kadiu është ventrilokist i asaj që i thonë të thotë. Ta lëmë rehat djalin...

Deputetet e opozitës dhe anëtaret e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, Blerta Deliu dhe Time Kadrija, e quajtën “ikje” mospranin e Bislimit, derisa për këtë ikje tha se ia miratuan edhe deputetët e shumicës, që janë edhe shumicë në komisionin, me mosprani të tyre në Komision.

Krasniqi tha se kanë pritur në veçanti të marrin listën e projekteve të pezulluara pas sanksioneve të BE-së ku u përfshinë edhe fondet e IPA-së. Ajo madje tregoi se ka kohë që i ka dërguar edhe me e-mail Bislimit pyetje se cilat projekte nga fondet e IPA-s janë pezulluar, po se ky i fundit gjën e fundit që bën është të përgjigjet.

Bislimi ka pasë me na tregu për sanksionet e BE-së, ne si Komision ende nuk e kemi listën e projekteve që kanë të bëjë me IPA, fondet e përbashkëta Kosovë-IPA”, tha deputetja e LDK-së në konferencë për media.

Deputetja e PDK-ës, Blerta Deliu, e quajti “marrëzi” ikjen nga qytetarët dhe nga opozita, dhe se kjo e ikje e minon edhe më tej “legjitimitetin dhe kredibilitetin” e kësaj qeverie.

Sanksionet dhe izolimi i vendit, është pozicioni më i keq i Kosovës në raport me partnerët e saj, dëmet që po bëhen në kurriz të qytetarëve”, tha Deliu, derisa e përsëriti qëndrimin e PDK-së që mandati duhet t’u kthehet qytetarëve.

Këta njerëz kanë aq marrëzi sa të ikin prej qytetarëve dhe opozitës, vetëm legjitimitetin për të ushtruar pushtet nuk kanë”, tha ajo.

Me këtë ikje nga raportimi për sanksionet të cilët po rëndojnë mbi vendin, ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili konkludoi se edhe është krejtësisht “për keqardhje degradimi” i dialogut që tashmë po mbahet hotleve dhe nëpër Bratisllava.

Nuk është hera e parë që kryenegociatori i Kosovës për dialog nuk raporton në Komisione të Kuvendit. Raportimi i Qeverisë në Kuvend për dialogun nuk është në vullnetin e saj, por është obligim kushtetues. Nuk është mund t’i iket kësaj përgjegjësi”, ka shkruar Avdullah Hoti.

Është për keqardhje degradimi i dialogut nga takimet e nivelit më të lartë në Uashington e Bruksel për “Marrëveshje finale, ligjërisht e obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, në dialog nëpër hotele të plazheve, në Bratisllavë e në Ohër për marrëveshje të ndërmjetme që e lënë problemin hapur për dhjetë vitet e ardhshme”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme