Biri i Hysni Gucatit i reagon Kurtit: Nuk më vjen mirë që s’i përmend krerët e UÇK-së, por vetëm Rexhep Selimin
Musli Gucati, i biri i Hysni Gucatit, ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje përmendi vetëm Rexhep Selimin në komunikatën ku treguan përkrahjen ndaj “Marshit për Drejtësi”.
Gucati në Klan Kosova ka thënë se është i pakënaqur edhe me justifikimin e kryeministrit Albin Kurti kur u pyet se pse nuk po i viziton ish-kretët e UÇK-së.
“Ajo çka nuk më vjen mirë, prapë nuk dua të dal edhe unë që po bëj ndasi politike, por nga ana e kryeministrit asnjëherë nuk i përmend krerët e UÇK-së përjashtim Rexhep Selimit, për neve njëjtë është, si Rexhep Selimi, si Hashim Thaçi, si Hysni Gucati ,të gjithë janë të barabartë dhe të gjithë e kanë pasur një ideal dhe një qëllim që të luftojnë për këtë vend.” – ka thënë ai.
VV-ja në komunikatë e ka përmendur vetëm Rexhep Selimin me emër, ish-deputet i VV-së, duke i anashkaluar emrin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, që po ashtu janë të paraburgosur në të njëjtën akuzë sikurse Selimi.
“Rexhep Selimit, ish-shefit të grupit tonë parlamentar, anëtarit të Kryesisë, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, i është këputur përgjysmë angazhimi i rëndësishëm e kontributi i mirë për vendin. Por, është e sigurt se Rexha ashtu siç ka kryer secilën punë me sukses do të dali fitimtar edhe në betejën e radhës.” – vlerësoi VV-ja.
Në intervistën e realizuar tek Ermal Panduri në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, Kurti tha se e ka të sikletshme një vizitë të tillë, pasi nuk e njeh Gjykatën Speciale.
“Pra si mundemi ne të sigurohemi që lufta çlirimtare nuk dëmtohet, duke bërë koordinim sa më të mrië të avokatëve, sepse ju e dini që avokatët e mbrojnë klientin e tyre. Por kjo nuk do të duhej kurrsesi të jetë në dëm të tërësisë dhe ky koordinim është shumë i rëndësishëm. Dhe unë e kam edhe siklet se e kuptoni duhet të nënshkruaj pa numër letra aty që po e pranoj Gjykatën Speciale po të shkoj t’i vizitojë aty. Dhe unë se kam pranuar këtë Gjykatë, edhe me përvojën time jetësore s’e kam pranuar” – tha tani Kurti, në një përpjekje të sikletshme për të arsyetuar ndryshimin e qëndrimit të tij rreth vizitës në Hagë.

