Biden njofton zyrtarisht 1.8 miliardë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën, përfshirë sistemin Patriot
Në konferencën e përbashkët të presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky, Biden ka njoftuar paketën e re shtesë të ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 1.8 miliardë dollarësh, përfshirë sistemin e mbrojtjes raketore Patriot.
“Do të duhet pak kohë për të përfunduar trajnimin e nevojshëm për të operuar sistemin,” tha Biden, duke shtuar se raketat Patriot do të jenë një “aset kritik” për mbrojtjen e Ukrainës.
Biden po ashtu shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të siguruar që ukrainasit të mund "të mbrojnë vendin e tyre kundër agresioneve të Rusisë për aq kohë sa duhet".
Presidenti gjithashtu falënderoi anëtarët e Kongresit për mbështetjen dypartiake për Ukrainën deri më tani – duke përfshirë paketën më të re, shtesë e paketës 45 miliardë dollarëshe.
Më vonë gjatë ditës, pritet që presidenti ukrainas t'u drejtohet anëtarëve të Kongresit në Kapitol Hill. Ndërsa, kujtojmë se pak para arritjes së Zelenskyt në Uashington, edhe sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken njoftoi ndihmën shtesë prej 1.85 miliardë dollarësh për sigurinë për Ukrainën, duke përfshirë transferimin e parë të sistemit të mbrojtjes raketore Patriot.
