Beteja për anëtarin e 10-të të KQZ-së: PDK-ja e VV-ja i shkruajnë u.d. të presidentes, Haxhiu premton veprim “me kohë” - NACIONALE

Beteja për anëtarin e 10-të të KQZ-së: PDK-ja e VV-ja i shkruajnë u.d. të presidentes, Haxhiu premton veprim “me kohë”

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë duke e vazhduar betejën për anëtarin e dhjetë të KQZ-së. Këto dy parti po pretendojnë se ky anëtar ju takon atyre. Për këtë arsyeje të dy partitë dje i kanë shkuar letër ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu,

Kjo e fundit ka thënë se është duke u marrë me këtë çështje dhe do të veprojë më kohë.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu e ka kritikuar ish-presidenten Osmani pse nuk ka vendosur për këtë çështje.

Jam duke i trajtuar çështjet me prioritet, mendoj se një proces kushtetues që ka filluar më herët është dashur të përmbyllet me Vjosa Osmanin. Nuk është në rregull që ka mbetur e papërfunduar. Unë jam njoftuar me çështjet prioritare, që duhet t’i trajtojmë. Sapo të kemi një analizë, do të veprojmë me kohë.”, ka thënë Haxhiu.

Megjithatë, PDK-ja dje i është drejtuar Haxhiu me një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në kërkesë theksohet se çështja e përbërjes së KQZ-së ka mbetur e papërfunduar gjatë mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani dhe se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në këtë institucion nuk është çështje interpretimi politik, por një e drejtë që rrjedh nga dispozitat kushtetuese.

Në letrën zyrtare, PDK nënvizon gjithashtu rëndësinë e respektimit të praktikës së deritanishme institucionale, sipas së cilës kjo parti ka qenë e përfaqësuar me dy anëtarë në KQZ.

Duke iu referuar nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës së Kosovës, PDK argumenton se shpërndarja e vendeve në KQZ duhet të bazohet në përfaqësimin e grupeve parlamentare në Kuvend. Në kushtet aktuale me katër grupe parlamentare, PDK-ja konsideron se secili grup duhet të ketë nga një përfaqësues në raundin e parë, ndërsa vendet e mbetura duhet të ndahen sipas madhësisë së grupeve, duke siguruar kështu përfaqësim proporcional”, është thënë në letër.

Pas Hamzës, Haxhiut letër i ka shkruar edhe Sekretari i Përgjithshëm i VV-së, Alim Rama.

Në këtë letër Rama i ka kërkuar Haxhiu emërimin e anëtarit të tretë në KQZ.

Kjo kërkesë vjen duke marrë parasysh përbërjen e paplotësuar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë mandatit të ish-Presidentes Osmani, si dhe mospranimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese të kërkesës së saj për “vlerësimin e konfliktit ndërmjet kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës” (Nr. i lëndës: KO81/26). Duke pasur parasysh këtë përbërje të mangët, i jam drejtuar Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Haxhiu, që të procedojë me emërimin e anëtarit të tretë nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, përkatësisht z. Nijazi Isaku”, ka shkruar Rama.

Shoqëria civile dhe njohësit e çështjeve kushtetutës kanë bërë me dije se ky vend në KQZ i takon PDK-së.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Ai ka bërë me dije se Haxhiu sa më shpejt duhet të emërojë anëtarin e dhjetë të KQZ-së.

Sipas tij, ky anëtar i takon PDK-së.

Nuk është dashur të lihej një anëtar të mos dekretohej nga ish-presidentja Osmani. Znj.Haxhiu tani ka dy kërkesa, të LVV-së dhe të PDK-së. Ajo në respektim të kushtetutshmërisë e të parimeve ë ligjit dhe të përfaqësimit të grupeve parlamentare duhet sa më parë ta emërojë një anëtarë. Ne vlerësojmë që anëtari tjetër që do të vinte do të duhej të ishte nga PDK-ja. Edhe pse vjen nga partia e njëjtë, Haxhiu do të duhej të ishte e paanshme ta kryejë funksionin e detyrës me integritet…Kushtetuta kërkon një anëtar nga radhët e PDK-së që rasti të mos dërgohet në Kushtetuese… Do të ishte shkelje kushtetuese, nominimi, dërgimi, dekretimi i këtij anëtari të LVV-së”, është shprehur Jakaj.

Nëse Haxhiu, ia plotëson dëshirën VV-së, duke ia emëruar anëtarin e tretë në KQZ, ajo mund të përfundojë lehtësisht në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo pasi PDK është shprehur e gatshme për ta dërguar çështjen në këtë institucion.

Favorizimi i partisë së saj, Lëvizjes Vetëvendosje, duke ia plotësuar dëshirën për emërimin e anëtarit të 3-të në KQZ, mund ta bëjë Haxhiun në shkelëse të Kushtetutës, respektivisht nenit 139, ku në mënyrë të qartë është shpjeguar se si bëhet ndarja e ulëseve në institucionin e zgjedhjeve për grupet parlamentare shqiptare.

Lajme të ngjashme