Besian Mustafa: “Sot gënjeshtra e Kurtit doli lakuriq para gjithë botës”
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar pas dështimit të deputetit Albin Kurti për të formalizuar qeverinë të dielën, duke thënë se “pas tetë muajve të humbura me lojëra politike, sot gënjeshtra e Kurtit doli lakuriq para gjithë botës.”
Në një deklaratë për media, Mustafa u shpreh se kjo periudhë, të cilën ai e cilësoi “të errët për shtetin”, po i vjen fundi.
“Pas katër vitesh me zero punë, me mashtrime e dështime të shumta, pas tetë muajve të humbur për lojërat e tyre politike, sot u bë e qartë për të gjithë: s’i kanë numrat për ta bërë qeverinë,” tha ai.
Sipas deputetit të LDK-së, Kurti ka shkatërruar ekonominë, marrëdhëniet me partnerët strategjikë, shëndetësinë, arsimin dhe besimin me përfaqësuesit politikë. “Kur secilin e akuzon si tradhtar, bashkëpunëtor të Serbisë apo kriminel, dhe kur nga secili kërkon nënshtrim e jo bashkëpunim, s’të mbetet askush për partner. Për ta, ‘trimi i mirë me shokë shumë’ s’ka vlejtur kurrë,” shtoi Mustafa.
Duke e përmbyllur deklaratën e tij, ai theksoi se “pas shtrëngatës del dielli” dhe se periudha aktuale “e errët e shtetit” do të përmbyllet. “Do të vijnë qeveri që rikthejnë miqësitë me partnerët strategjikë, që e ç’izolojnë vendin, zhvillojnë ekonominë, arsimin e shëndetësinë, e mbi të gjitha i japin rinisë arsye për të mos ikur. Mirupafshim në anën e ndritshme të Kosovës, së shpejti,” përfundoi Mustafa.