Beogradi i shqetësuar se Lista Serbe po humbet “ndikimin” te serbët në Kosovë
Tejet i shqetësuar është shprehur Kryetari i të ashtuquajturit “Komision Parlamentar për Kosovën” në Serbi, Millovan Drequn, në lidhje me zbehjen e autoritetit të Listës Serbe në mesin e serbëve lokalë në pjesën veriore të Kosovës, derisa edhe ka bërë thirrje që “të dëgjohet Lista Serbe...si e vetmja lidhje politike me Beogradin”. Lënia jashtë loje e Listës Serbe, për Drequnin, është fitore për Kosovën dhe humbje e ndikimit të Serbisë në mesin e serbëve në veri.
“Ka individë që duan ta shkatërrojnë reputacionin dhe ndikimin e Listës Serbe te serbët dhe t’ia heqin mundësinë Presidentit të Serbisë të bëjë ç’të jetë e nevojshme për t’i ndihmuar serbët”, ka thënë Drequn, raportoi RTV.
Ai “paralajmëron” se rënia e ndikimit të Listës Serbe zhbën mundësitë që Beogradi t’i ndihmojë serbët ndërsa bën thirrje për “besim” në këtë parti politike.
“Serbët në veri duhet të kuptojnë mesazhet që vinë nga Beogradi dhe se Lista Serbe është e vetmja lidhje politike me Beogradin. Ata duhet të dëgjojnë se çfarë u thotë Lista Serbe dhe të sillen në mënyra siç i instruktohen nga Lista Serbe”, ka thënë Drequn.
Mes tjerash ai u ka kërkuar serbëve "që në çdo mënyrë të shmangin konfliktet me KFOR-in".