BE: Lajçak sot në Kosovë diskuton me Kurtin konkluzionet e 27 shteteve anëtare - NACIONALE

BE: Lajçak sot në Kosovë diskuton me Kurtin konkluzionet e 27 shteteve anëtare

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se qëllimi i vizitës së emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak, sot në Kosovë dhe më vonë në Serbi, është që të flitet për konkluzionet e 27 shteteve anëtare pas takimeve të javës së kaluar të Këshillit Evropian.

Në një konferencë për media para gazetarëve, zëdhënësi Peter Stano ka thënë se kryediplomati evropian, Josep Borrell i kërkoi emisarit Lajçak që të vizitojë të dyja vendet, në mënyrë që të gjendet rruga për deeskalim.

“Sot është në Prishtinë, do të jetë edhe në Beograd – kjo vizitë është një vazhdim pas Këshillit Evropian ku u diskutuan tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Bënë thirrje për deeskalim. Konkluzat e BE-së, Borrell i kërkoi Lajçak që të udhëtojë në Prishtinë e Beograd që të gjendet një zgjidhje për deeskalim, dhe të rikthehemi në bisedime për dialogun.” u shpreh ai.

Një takim i ri?

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq para disa ditësh udhëtuan në Bruksel, por megjithatë, nuk pati takim trepalësh. Të dy, mbajtën takime të ndara me kryediplomatin Borrell dhe emisarin Lajçak.

Njëra prej pyetjeve që iu shtrua zëdhënësit të BE-së në konferencë, ishte edhe ajo e mundësisë për një takim të ri trepalësh.

"Ky është objektivi dhe qëllimi i aktivitetit tani, që liderët dhe shtetet anëtare, kanë thirrur për deeksllim të menjëhershëm. Treguan çfarë pritet prej të dyja palëve. Vizita prej Lajçak, vizita prej individëve të tjerë nga BE-ja është që të gjendet një rrugë që të dyja vendet të sillet në një mënyrë evropiane.” – tha ai.

Stano vazhdoi tutje duke theksuar se mund të pritet një takim, por aktualisht janë në një fazë tjetër të procesit.

“Sigurisht, që në një pikë, do të ketë një takim në kuadër të dialogut, por ne jemi ende në këtë fazë ku duhet të flitet se çfarë u fol nga Këshilli Evropian.” – tha ai.

Konferenca ndërkombëtare?

Kryeministri shqiptar, Edi Rama kishte propozuar organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën e Serbinë, por sipas Stanos, aktualisht fokusi nuk duhet të jetë në atë që “mund të ndodhë”.

“Tani, siç thash prioriteti është në konkluzat e shtetet anëtare – prioriteti është deeskalimi. Të mos fokusohemi në çfarë mund të ndodhë, duhet të shohim hapa për deeskalim.Kjo po flitet pas takimit të Këshillit Evropian nga emisari Lajçak sot në Prishtinë, dhe më vonë në Bruksel.” – tha ai.

Vlen të theksohet se gjatë takimit të javës së kaluar, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel e konfirmoi se e mbështesin një ide për organizimin e një konference ndërkombëtare për të shtyer përpara çështjen mes Kosovës e Serbisë.

Ai madje, kërkoi edhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç shteteve anëtare të BE-së.

Mbështesim plotësisht të gjitha përpjekjet e bëra së bashku me bashkëpunimin e mirë me NATO-n, nga përfaqësuesi i lartë Borrel, dhe dua të them se mbështesim edhe idenë që sa më shpejt të jetë e mundur të organizohet një konferencë me disa anëtarë të BE-së shumë aktive për të mbështetur të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese duke u koordinuar me SHBA-së, sepse ne e ndjejmë atë, gjithë të mirën për Ballkanin Perëndimor, me Ballkanin Perëndimor.”- tha ai para gazetarëve.

Lajme të ngjashme