“Nuk ka fitues nëse ka konflikt” – Mesazhet kryesore nga kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut në Kosovë
Pas Beogradit, Prishtina ishte ndalesa e kryeministrave të Holandës dhe Luksemburgut. Ngjashëm si në Serbi, edhe në Kosovë të dy kryeministrat e vendeve të Beneluksit kërkuan që të ketë qetësim të situatës në veri.
Edhe pse deklaruan që kur e planifikuan vizitën situata nuk ishte e tillë, kryeministrat thanë se tash më shumë se kurrë ka nevojë për paqe.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha se të gjitha palët duhet t’i pëmrbahen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, raporton Nacionale.
“E kam parë në Beograd dhe këtu që të gjithë duan deeskalim, dhe është interes i të gjithëve për ta bërë atë, nëse mund të ndihmojmë ne jemi këtu. Por të gjithë duhet t’i përmbaheni procesit të udhëhequr nga BE, duke u ndihmuar edhe nga ShBA-të. Nuk e di nëse duhet të drejtojmë gishtin te Kosova ose Serbia, sepse kjo nuk ndihmon, ne duam të ndihmojmë”, deklaroi kryeministri Rutte.
Ai tha se ka pika të marrëveshjes që nuk janë zbatuar nga Kosova, e të tjerat nga Serbia. Ai ritheksoi se Kosova e Serbia duhet t’i përmbahen planit.
“Të qasemi hap pas hapi, në shkurt kemi pasur një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Franca, Gjermania dhe KE-ja. Duhet të sigurojmë që të gjitha palët të përmbushin marrëveshjen. Jo çdo gjë është implementuar, sipas Serbisë, jo çdo gjë për të cilën është zotuar Kosova, e ka implementuar dhe e kundërta. Atë çfarë po themi është se keni bërë premtime të dyja palët, e dijmë që ka shumë çështje të ndjeshme, por besoj që çështja kryesore është që t’i përmbahemi planit”, tha ai.
“Në momentin që BE-ja gjen fajtor, dhe drejton gishtin, në momentin që bëjmë këtë atëherë humbim pozicionin që të ndihmojmë”, deklaroi kryeministri i Holandës.
Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, ka bërë me dije së bashku me kryeministrin e Holandës janë në Prishtinë për të dëgjuar.
Në konferencën e përbashkët, pas takimit me kryeministrin Kurti, ai ka kërkuar deeskalim të situatës në veri.
“Jemi këtu sepse dëshirojmë të dëgjojmë. Kur është planifikuar ky udhëtim nuk kemi pritur që këto tensione që janë në rajon të jenë. I thamë edhe Albinit nuk jemi këtu për të gjykuar, por jemi këtu për të dëgjuar dhe të mundohemi të ndërtojmë ura, të cilat janë në mes fqinjëve nganjëherë nuk janë të lehta për tu ndërtuar”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se marrëveshjet e dialogut duhet të zbatohen për të evituar përshkallëzimin e situatës.
“Ne dje ishim në Beograd dhe sot jemi në Prishtinë. Është e rëndësishme për ne që e dimë që ka udhërrëfyes për dialog e ai është Lajçak. Ne duhet të largojmë çdo mundësi për kriza të mundshme të cilat më së shumti i vuan populli. Ju mund të llogarisni në ne. Për ne është e rëndësishme të besojmë në punën e lehtësuesve të BE-së. Është mirë të ketë dialog të hapur”, ka thënë ai.
Ai ka rikujtuar se edhe Lufta e Parë Botërore ka filluar në Ballkan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në konferencë për media bashkë me kryeministrat e Holandës e Luksemburgut.
Kurti ka thënë se gabimi kryesor ishte fakti që marrëveshja bazë nuk u nënshkrua. Sipas tij, kjo e hapi derën për shkelje, raporton Nacionale.
“Nën patronatin dhe ndërmjetësimin e BE-së, Komisionit Evropian, kemi arritur marrëveshje. Ishte e paimagjinueshme dy vjet më parë, kjo marrëveshje quhet Marrëveshja Bazë. Është e ideuar në planin e gjermanive 1972 dhe është qasja e njohjes de facto. Çdo student që studion shkenca politike i leoxn këto 11 pika të marrëveshjes bazë, do të vije në përfundim se është njohje de facto. Vështirësitë që kemi është mungesa e implementimit, dhe kjo mungesë erdhi duke e lënë këtë proces pa nënshkrim. Ky ishte gabim i madh, sepse mos-nënshkrimi i marrëveshjes e hapi derën për shkelje. Çka duhet është implementim i shpejtë i të gjitha pikave pa parakushte ose vonesa. Duhet të intensifikojmë dialogun për implementim, mos të heqim dorë nga marrëveshja”, tha Kurti.
“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne duam zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit për të cilën dëshirojmë të zbatohet në plotëni, pa vonesa dhe pa kushte. Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi edhe për BE-në të shtyjë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi ai.
Dy kryeministrat kanë qëndruar edhe në Beograd, kurse sot pritet të takohen me organizata të shoqërisë civile.

