Masa kundër Kosovës, konferencë ndërkombëtare – Çka thanë sot liderët evropianë?
Derisa shtetet anëtare të Këshillit Evropian sot mbajnë takimin e radhës, natyrisht, liderët e saj nuk kishte se si të mos pyetëshin për situatën në veri të Kosovës. Depërshkallëzim, masa, një konferencë ndërkombëtare – çfarë u tha?
Shtetet e KE-së mblidhen sot në Bruksel, në një takim që pritet të vazhdojë edhe nesër, kësaj radhe, i pranishëm ishte edhe sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Edhe ky i fundit, foli për situatën në Kosovë, derisa arriti në vendin e ngjarjes bashkë me kryediplomatin evropian, Josep Borrell.
Thirrje për depërshkallëzim
Stoltenberg bëri thirrje për depërshkallëzim në veri, duke thënë se duhet të ndalet çdo veprim që mund të rrisë tensionet.
Veç kësaj, ai tha se palët duhet të rikthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Situata në Kosovë dëshmon edhe bashkëpunimin NATO-BE. NATO mbështet fuqimisht përpjekjet e Bashkimit Evropian, përpjekjet diplomatike që BE-ja lehtëson dialogun me procesin tonë ushtarak në terren, forcat e KFOR-it. Ne kemi shtuar praninë tonë atje dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të de-eskalojnë situatën, dhe të ndalin çdo veprim që mund të rrisë më tej tensionet dhe të angazhohet në mirëbesim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.” – ka thënë ai para gazetarëve në objektin e Komisionit Evropian
Po, konferencës ndërkombëtare
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel e konfirmoi se e mbështesin një ide për organizimin e një konference ndërkombëtare për të shtyer përpara çështjen mes Kosovës e Serbisë.
Ai madje, kërkoi edhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç shteteve anëtare të BE-së.
“Mbështesim plotësisht të gjitha përpjekjet e bëra së bashku me bashkëpunimin e mirë me NATO-n, nga përfaqësuesi i lartë Borrel, dhe dua të them se mbështesim edhe idenë që sa më shpejt të jetë e mundur të organizohet një konferencë me disa anëtarë të BE-së shumë aktive për të mbështetur të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese duke u koordinuar me SHBA-së, sepse ne e ndjejmë atë, gjithë të mirën për Ballkanin Perëndimor, me Ballkanin Perëndimor.”- tha ai para gazetarëve.
Borrell i përmend masat
Kryediplomati evropian, Josep Borrell ka konfirmuar se do në takimin e sotëm të udhëheqësve të Këshillit Evropian, do të kërkojë përkrahje që të vazhdohet presioni ndaj Kosovës e Serbisë, me qëllim të deeskalimit të situatës.
Para mediave, pak para se të fillonte ky takim, Borrell tha edhe se shtetet anëtare kanë vendosur për masa ekonomike e politike.
“Do ta kërkoj përkrahjen e udhëheqësve që të vazhdohet vendosja e presionit ndaj tyre (Kosovës dhe Serbisë) me qëllim të shmangies së eskalimit dhe kthimit te normalja. Shtetet anëtare kanë vendosur… që duhet të ndërmerren masa, ekonomike dhe politike, me qëllim që t’u bëhet e qartë atyre se nëse nuk kontribuojnë për de-eskalim, kjo vjen me një kosto.” – u shpreh ai.
Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman konfirmoi se Komisioni Evropian mund të komunikojë gjatë kësaj jave masat që janë ndërmarrë kundër Kosovës.
“Autoritetet e Kosovës nuk iu janë përgjigjur këtyre kërkesave fatkeqësisht Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës së në kuptimin e organeve të Stabilizim Asocim dhe do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment, mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimi i kontratave po ashtu, do të pezullohen.” - u shpreh ai.
Tutje, Koopman dha edhe të tjera detaje rreth masave, duke u shprehur si vijon: “Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalshe po ashtu do të pezullohen. Tani më lejoni të theksoj se nuk i marrim me lehtësi këto veprime dhe këto duhet të shihen si të përkohshme dhe të kthyeshme kur të shohim hapat e vegjët të autoriteteve në Kosovë që të kthehen në dialog dhe për të implementuar zotimet që janë dhënë.”

