BE e quan “të padobishëm” aksionin e policisë në veri: Shumë shpejt do të dalim me reagim zyrtar
Gjatë së hënës në veri të Kosovës, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion ku u bastisën disa zyra financiare të të ashtuquajturës “Banka Postare Kursimore”. Bashkimi Evropian i ka quajtur këto ngjarje shumë të dobishme.
Në një konferencë për media, pasi është pyetur mbi këtë çështje, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dalin me një reagim zyrtar.
“Ka qenë një ngjarje shumë e padobishme. Ne do të bëjmë një reagim zyrtar që do të lëshohet herët këtë pasdite.” – u shpreh ai.
Reagim i ashpër edhe nga ShBA-të
Në një përgjigje për mediat, nga Departamenti amerikan i Shtetit iu kërkua Kosovës që t’i kthehet “angazhimit konstruktiv” në dialog.
Po ashtu, citohej se nga DASh, janë shprehur të zhgënjyer, pasi sipas tyre, aksioni nuk ka qenë i koordinuar.
"I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj - duke përfshirë ato të minoritetit serb - të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat.” – thuhej në përgjigje.
Çka ndodhi?
Policia e Kosovës pas aksionit, doli me detaje shtesë ku thuhej se janë mbyllur gjashtë njësi të të ashuquajtures “Banka Postare Kursimore".
Aty, u bë e ditur se janë konfiskuar prova materiale, në mesin e tyre euro, dinarë e dollarë.
“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë;
Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin.
Gjashtë filiale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’ në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.” – thuhej në komunikatë.
Ministri i Financave Hekuran Murati, i pyetur sot nga gazetarët për moskoordinim me aleatët, tha si më poshtë:
“…sa i përket reagimit, nuk jam në dijeni për detajet, megjithatë cdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e ligjshmërisë në cdo cep të vendit.
Këto zyre kanë fillu aktivitetin në vitin 2018, nuk është dicka që është trashëguar nga paslufta, por ka ndodhë gati gjashtë vite më herët dhe kanë zhvilluar aktivitetin në mënyrë të paligjshme dhe pa qenë të njoftuara organet e rendit.” – tha ai.