BE e quan 'për keqardhje' që Vetëvendosja përvetësoi me llogo të vet projektin 10 milionësh të financuar nga KE - NACIONALE

BE e quan 'për keqardhje' që Vetëvendosja përvetësoi me llogo të vet projektin 10 milionësh të financuar nga KE

1 javë më parë

nga Xhezair Dashi

‘Qeveria për bujqësinë’ dhe një shenjë check si punë-e-kryer.

Me llogo të partisë si përvetësim meritash e pronësie Lëvizja Vetëvendosje e dha projektin e financuar me para (10 milionë euro) të Bashkimit Evropian si investim i qeverisjes së tyre.

Kështu në faqen e tyre zyrtare ata shkelën me dy këmbë obligimet që kanë – nga Udhëzuesi i BE-së për veprime të jashtme – duke mos ia vendosur as edhe dy piksella llogos së unionit.

Me Kurtin e Pecin duke prerë shirit: “Nisin punimet në projektin për modernizim dhe përmirësim e sistemit të ujitjes në Radoniq-Dukagjiq”

“Është për keqardhje...”

Kështu i thanë Nacionales në një përgjigje me shkrim Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ionna Lachana nga Zyra e BE-së e dha veprimin e Vetëvendosjes si shkelje të rregullave të BE-së dhe obligimeve që pasojnë nga Udhëzuesi.

Udhëzuesi: “Marrësit e fondeve të BE-së janë të obliguar të sigurohen që emblema e BE-së të jetë e dukshme në kontekstin e dhënë...duhet të demonstrojnë dhe shpjegojnë se si e sigurojnë lartqëndrimin e emblemës së BE-së (...)”

(...)Nëse ka llogo tjera të shfaqura përveç asaj të BE-së, kjo e fundit duhet të jetë së paku e njëjtë në madhësi me atë më madhen ose llogot tjera”.

Kaq për rregullin. Por, çfarë thotë Zyra e BE-së?

Në përgjigjen e tyre ata vërejnë se në postimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ky i fundit respektoi rregullin dhe obligim:

Por jo edhe Vetëvendosja, e cila, sipas tyre, dështoi t’i qëndrojë udhëzuesit, e kësisoji duke mos treguar “kontributin pozitiv” që BE bën “për popullin e Kosovës”.

Në përputhje me Udhëzuesin e BE-së për veprimet e jashtme, përfituesit e fondeve të BE-së u kërkohet të pranojnë origjinën e tij dhe të sigurojnë dukshmërinë e çdo financimi të marrë nga BE. Zyra e Kryeministrit i është përmbajtur këtij detyrimi në njoftimin për shtyp dhe postimin në Facebook”, thanë ata.

Megjithatë, është për keqardhje kur sheh se partia në pushtet Vetëvendosje ka lënë jashtë çdo përmendje të kontributit financiar të BE-së në postimin e saj në Facebook, duke mos përmendur kontributin pozitiv të BE-së për jetën e popullit të Kosovës”, shtoi Zyra e BE-së.

Në këtë përurim, BE tregon se kanë pasur edhe zyrtarin e vet.

Bashkimi Europian, nëpërmjet një investimi prej 10 milionë eurosh, financon ‘Projektin e Përmirësimit dhe Rehabilitimit të Sistemeve të Ujitjes’, zbatuar nga Banka Botërore”.

“Të hënën, shefi i Seksionit për Bashkëpunim të Zyrës së BE-së në Kosovë iu bashkua kryeministrit dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për inaugurimin e punimeve në Skemën e Ujitjes Radoniqi-Dukagjin”, thanë ata.

Vetëvendosja, këtë e kishte bërë edhe më herët: përvetësimin e pronësisë së projektin dhe futjen e meritave nën sqetullin e vet. Para një viti pati hequr afishet e BE-së në një thirrje për subvencion për pajisje efiçiente të energjisë.

Në profilin e zyrtar në “Facebook”, VV-ja ka pati vendosr një afishe të tregohet se cilat pajisje do të subvencionohen, por nuk tregohej se nga kush do të subvencionohen ato.

Llogoja ishte veç e partisë duke u përkthyer në kuptime se gjoja ato po financoheshin nga Vetëvendosja.

Lajme të ngjashme