“Bashkëpunojmë me të gjithë”: Agani nuk e mohon themelimin e “listës konservatore” me deputetët e VV-së - NACIONALE

“Bashkëpunojmë me të gjithë”: Agani nuk e mohon themelimin e “listës konservatore” me deputetët e VV-së

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Dje gazeta “Nacionale” raportoi për një nismë të re politike për të krijuar një “listë konservatore” që do të përbashkonte politikanët me ngjyrime më tradicionale. Në këtë nismë, sipas burimeve të gazetës, është i përfshirë edhe Ferid Agani, kryetar i Partisë së Drejtësisë, dhe disa deputetë të tanishëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Agani, që dikur ishte ministër i Ministrisë së Shëndetësisë, është deklaruar në lidhje me këtë nismë, që mbrëmë u raportua eksluzivisht nga ana e Nacionales. Në përgjigjën e tij, Agani nuk e ka mohuar iniciativën për themelimin e një liste konservatore, që nuk pritet të kalojë mbi dhjetë persona.

Agani ka theksuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha subjektet dhe personalitetet politike që “ndajnë vlera të njëjta”. Më saktë, Agani ka sqaruar se është duke u fokusuar në “ruajtjen dhe përparimin e vlerave tradicionale të familjes dhe shoqërisë kosovare”.

“Si kryetar i Partisë së Drejtësisë dhe si udhëheqje e partisë jemi të interesuar dhe të angazhuar për të fuqizuar agjendën e djathtë politike në vendë me komponentën progresive demokratike konservatore që në fokus ka ruajtjen dhe përparimin e vlerave tradicionale të familjes dhe shoqërisë Kosovare, dhe në këtë drejtim do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet dhe personalitetet politike që ndajnë vlera të njejta.

Për momentin kaq mund të them” – tha Agani në një përgjigje për Nacionalen.

Por çfarë raportoi Nacionale?

Mbrëmë Naconale shkroi për një lëvizje të re politike, e cila është në formim e sipër, ku përfshihen disa emra politikanësh konservatorë. Emrat e përfshirë në këtë listë, që nuk e kalojnë numrin dhjetë, synojnë të garojnë në zgjedhjet e ardhshme në listën e VV-së ose të ndonjë partie tjetër, përfshirë atë të PDK-së e LDK-së.

Kjo listë, siç ka kuptuar Nacionale, përbëhet nga disa prej deputetëve aktualë të LVV-së, ish-ministra, ish-deputetë e aktivistë të njohur politikë me ngjyrime konservatore.

Një fotografi mes Eman Rrahmanit, deputet i VV-së, dhe Ferid Aganit, kryetar i Partisë së Drejtësisë, ishte njëra nga simptomat e një fenomeni që po ndodh në prapavijë. Sipas informacioneve të Nacionales, Rrahmani dhe disa deputetë të tjerë të VV-së, të cilët kanë qenë kundërshtarë të disa nismave të Qeverisë Kurti, janë duke komunikuar me disa figura të tjera jashtë VV-së për të hartuar një listë me disa emra.

Pra nuk do të jetë një parti e re, por një listë, e cila ka për target një numër të caktuar figurash, të cilat pretendohet se ngazëllejnë elektoratin konservator e me bindje myslimane.

Burimet në fjalë konfirmojnë që lista që planifikohet të hartohet përfundimisht javëve në vazhdim, është e hapur për negociata me VV-në dhe partitë e tjera parlamentare, si PDK-ja e LDK-ja. Megjithatë, lista në fjalë është ende e papërfunduar, ndërsa bisedimet mbi emrat që do të përfshihen janë në fazën përfundimtare.

Sa i përket “kauzave politike”, lista përbashkon emra që kanë kundërshtuar projekt-kodit civil, i cili njeh bashkësitë civile të seksit të njëjtë, një nga temat më poralizuese në mes grupit konservator dhe Qeverisë Kurti. Grupi konservator i VV-së në Kuvend, nuk u pajtuar me Qeverinë Kurti edhe për pagën minimale, koeficientin e pagave e tema të tjera ekonomike.

Në lidhje me këtë temë, Nacionale ka kontaktuar me Rrahmanin, i cili nuk ka dashur të komentojë këtë çështje, që pritet të jetë një lëvizje interesante politike.

Lajme të ngjashme