Barrikadë e re në Mitrovicën e Veriut
Mëngjesi i sotëm e ka zbardhur veriun e Mitrovicës më një barrikadë të re. Kështu po raporton KosovaPressi.
Sipas këtij mediumi, një barrikadë prej tre kaminonësh është vendosur në mëngjesin e së martës tek udhëkryqi afër shkollës teknike në veri të vendit.
Kjo pengesë e re po ua pamundëson lëvizjen e lirë në qytet banorëve të asaj zone.
E deri më tani sipas raportimeve kanë qenë nëntë barrikada të vendosura në rrugët magjistrale.
KP ka shpërnarë foto të barrikadës së re.
Megjithëkëtë sipas, REL-it ka informacione që është ngritur edhe një barrikadë tjetër në vendin e njohur si “Dudin Kërsh” në Zveçan, që pamundëson lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, Komuna e Zveçanit.
Barrikada në Lagjen e Boshnjakëve është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në katër komunat në veri të Kosovës.
E gjatë së hënës zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ka është mbledhur Këshillin e Sigurisë, pas situatës së krijuar në komunat veriore me shumicë serbe.
“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it.” – u tha në komunikatë.
Po ashtu, u fol edhe për KFOR-in me komandantin e të cilës Kurti pati një takim gjatë ditës së sotme.
Megjithatë, aty është thënë se sa i përket barrikadave do të vazhdohet të priten veprimet e KFOR-it.
“Urdhëri” i Vuçiqit
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, përmes një video të publikuar në rrjetin social Instagram, ka thënë se kanë marrë urdhër nga Aleksandër Vuçiq që ta rrisin numrin e njësive speciale nga 1.500 në 5000 deri në fund të viti 2023.
Sipas tij, ky është një mesazh për opinion e Serbisë, “por jo vetëm të Serbisë”.
“Dua ta informoj opinionin e Serbisë dhe jo vetëm të Serbisë, se mbrëmë gjeneral [Milan] Mojsiloviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, dhe unë morëm një detyrë, një urdhër nga Presidenti i Republikës si Komandant i Përgjithshëm [Aleksandar Vuçiq], për të rritur numrin e pjesëtarëve të njësive speciale në Ushtrinë Serbe deri në fund të vitit 2023”, ka thënë Vuçeviq.
Vuçeviq ka thënë se ushtria serbe do të ketë 5.000 ushtarë të cilët sipas tij “do të mbrojnë atdheun, do të kryejnë çdo detyrë në çdo kohë dhe në çdo pjesë të territorit”.
Mbrëmjen e së dielës mediat serbe raportuan se ka pasur një takim mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviq dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqi për situatën në Kosovë.
Kujtojmë se serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri. E gjithë kjo në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq./Nacionale.com/


