Ballkoni i Hapur i Albinit dhe Procesi i Berlinit - NACIONALE

Ballkoni i Hapur i Albinit dhe Procesi i Berlinit

1 vit më parë

nga Dafina Demaku

Si kundërshtuese e ashpër e ‘Ballkanit të Hapur’, duke e interpretuar shpesh si një paralele të Procesit të Berlinit, Kosova tash rrezikon edhe këtë të fundit. Pse?

‘Kërcënimi ekziston’ – tha presidentja Vjosa Osmani në emisionin ‘Kallxo’ – kur u pyet rreth mundësisë së përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit. Por, ajo nënkuptoi më tutje, se kjo nuk duhet të lejohet, që të ndodhë.

Në emisionin mbi një orë të gjatë, Presidentja në asnjë moment nuk e përmendi emrin e kryeministrit Albin Kurti, histori hidhërimi e njohur tashmë, duke e zëvendësuar atë me përmera të pacaktuar të llojit: “kushdo”;

Kushdo që do të negociojë në emër të Qeverisë’ – (ani pse krejt e dimë që ky ‘kushdo’ quhet Albin Kurti), të mos e lejonte këtë, pra - përjashtimin nga Procesi i Berlinit.

Ky ‘Kushdo’ që ne e njohim si Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, është i njohur si idhtari më i madh i Procesit të Berlinit dhe kundërshtues më i madh i Ballkanit të Hapur.

Kundërshtues deri në atë pikë, sa në një trajtë ironike - deri në karikaturë, e ka emërtuar një ballkon në objektin e Qeverisë së Kosovës, si ‘Ballkoni i Hapur’.

Pse Kosova rrezikon tash, Procesin e Berlinit?

Vizita e fundit e të dërguarit të Kancelarit gjerman, Scholz, z. Manuel Sarrazin, ishte habitëse kur ai foli për ‘kompromise para tetorit’.

Ideja është kjo: në çdo tetor, mbahen Samitet e Procesit të Berlinit. I fundit, ishte ai në Tiranë, tetorin e vitit të kaluar.

Gjermania – si inicuese e Procesit të Berlinit, i kërkon Kosovës që të heq ndalesën ndaj mallrave serbe, e vendosur pas rrëmbimit të tre policëve vitin e kaluar nga ana e Serbisë, dhe në këmbim të kësaj, i ofron Kosovës që ta heq UNMIK-un si përfaqësues të Kosovës në CEFTA.

Kjo, në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, një mekanizëm në kuadër të Procesit të Berlinit, në të cilin, Gjermania dhe vendet tjera anëtare (ose mbikëqyrëse), jashtë gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, e shohin si mekanizmin kryesor për suksesin e Procesit të Berlinit.

Nëse Procesi i Berlinit nuk arrin të ofrojë rezultate konkrete në tregun e përbashkët rajonal, gjithë shpresat që kishim në planin e ri të rritjes, por edhe në idenë që të kemi këto katër liri në rajon duke sjellë mundësi për njerëzit të lëvizin lirshëm, mallrat të qarkullojnë lirshëm. Do të jetë kthesë prapa në besimin që mund të integrojmë rajonin bashkë. Do të jetë shumë keq kjo. Nuk do të ndalemi vetëm pse Kosova po bllokon. Kosova mund të bllokojë vetëm veten”, tha z.Sarrazin për Interaktivin e KTV-së.

Aty ku stagnon Procesi i Berlinit, ‘zgjohet’ Ballkani i Hapur. Dhe Sarrazin, paralajmëron këtë, si më poshtë:

Kam një ndjesi të qartë se nëse nuk shkojmë përpara tash me rajonin, jo vetëm mundësia për të shkuar drejt BE-së, por edhe ideja e vjetër për të pasur bashkëpunim rajonal në stilin e Beogradit me “Ballkanin e Hapur” do të kthehet. Ne duhet të kemi sukses në këtë samit, të tregojmë se Procesi i Berlinit dhe tregu i përbashkët rajonal po ofrojnë gjëra konkrete për njerëzit në rajon që mund t’i shohim”, thotë ai në Interaktiv.

Dhe ‘lëshon kërcënimin’ për të cilin foli Presidentja Osmani:

Gjashtë minus një”, thotë Sarrazin.

Presidentja Osmani, në Kallxo tregoi se çka saktësisht po kërkon Gjermania nga Kosova.

"Ideja është që Gjermania dhe vende të tjera, kanë ofruar skanerë profesional – nëpërmjet të cilëve, Kosova do të detektonte kamionët që vinë nga Serbia dhe brenda ‘kanë mallëra të dyshimta’.

Këta skanerë, nuk arritur ende në Kosovë. Dhe Sarrazini i Qeverisë gjermanë, po i kërkon Kosovës që t’i heq masat, edhe para arritjes së këtyre skanerëve. Këtë, të paktën e kuptuam nga bisedat që Presidentja thotë se pati me z.Sarrazin.

“Është një diskutim qe një kohë të gjatë për të arritur një pajtim për ndryshimin e statusit të përfaqësimit në CEFA sepse siç e dini akoma është UNMIK. Dhe për heqjen e UNMIK-ut në shkëmbim është ofruar apo është kërkuar që të gjendet një mundësi që Kosova t’i largojë masat e sigurisë, që janë vendosë, pra ndalen kamionët me mallra serbe.

Çka është ofru nga Gjermania dhe disa shtete të tjera, janë ofruar skenerë profesional nëpërmjet të cilëve mund të kalojnë të gjithë kamionët që kanë armë apo që bëjnë kontrabandë.

Për momentin, dallimi është te aspekti kohor. Skenerët akoma nuk kanë ardhë sepse janë procedura të prokurimit.

Ata nuk i kanë të gatshëm skenerët, po kërkojnë që të hiqen masat në mënyrë që në të njëjtën kohë, të largohet UNMIK nga Cefta, pra të jetë Kosova.

Dallimi është te aspekti kohor, për aq sa jam njoftuar unë.

Nuk besoj se është e pamundur të gjindet një gjuhë e përbashkët.

Ata pra po duan të hiqet ndalesa për mallrat serbe edhe pa ardhë skenerët.

Ky më duket një dallim shumë i vogël që nuk do të duhej të rezulonte me përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit.

"Kërcënimi ekziston" – tha presidentja – kur u pyet nga Jeta Xharra se ‘a e ekziton kërcënimi me përjashtim të Kosovës nga Procesi i Berlinit”.

“… dhe do të duhej me gjetë rrugë kushdo që negocion në emër të Kosovës, me propozime të reja”, tha ajo.

Në vitin 2022, kryeministri Albin Kurti do të kërkonte fuqizim të Procesit të Berlinit me një ‘Proces Berlini 2.0’.

Në vitin 2023, kryeministri Albin Kurti, do ta quante Procesin e Berlinit, një proces ‘që evropianizon Ballkanin Perëndimor’. “Procesi i Berlinit e bën Ballkanin evropian, e Ballkani evropian është ai i cili i duhet secilit prej shteteve tona”, do të deklaronte Kurti.

Procesi i Berlinit, sqaruar shkurt:

Në vitin 2003, në Selanik ishte mbajtur një Samit që do të quhej ‘Samiti i Ballkanit Perëndimor’.

Me qëllimin që të thelloheshin marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ky Samit do të tregohej i pasuksesshëm sepse nuk vitet që do të pasonin, do të tregonin ngecjen e tij, pra që qëllimi dhe synimet e iniciativës, po dështonin.

Ky fakt, do ta shtynte vite më vonë ish-Kancelaren gjermane Angela Merkel, që të ndërmerrte një iniciativë me qëllimin e njëjtë. Ishte viti 2014 dhe iniciativa do të quhej ‘Procesi i Berlinit’.

Udhëhiqet nga Gjermania dhe ka për qëllim lehtësimin e bashkëpunimit në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.

Me pak fjalë: Procesi i Berlinit është ombrella që përfshin krejt mekanizmat përmes të cilëve, vendet e Ballkanit Perëndimor rrugëtojnë drejt integrimit në BE.

Gjermania e udhëheq, Austria, Franca, Kroacia, Italia dhe Sllovenia, janë shtete kryesore pjesëmarrëse.

Ky Proces, mbledh vendet anëtare çdo vit, në vende të ndryshme – si ai vitin e kaluar në Tiranë – ku ripërtërihen synimet dhe politikat, si dhe bëhen marrëveshje të reja në mes vendeve anëtare.

Lajme të ngjashme