Bajqinovci përmend opozitën pas zhvillimeve në veri: LVV-ja dallon nga ata, po zmbrapsen kur Kosova ka të drejtë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci pas zhvillimeve në veri të vendit, ka lavdëruar shefin e tij, Albin Kurtin.
Bajqinovci në një shkrim në Facebook, ka thënë se kryeministri Kurti dhe LVV-ja “po dëshmojnë”, që përveç në qeverisje, dallojnë edhe në opozitë nga partitë tjera.
Sipas tij, opozita është e gatshme të zmbrapset edhe në situata kur Kosova ka të drejtë.
“Albin Kurti dhe Vetëvendosja po dëshmojnë që përveç në qeverisje dallojnë shumë me klasën politike edhe në opozitëbërje. E opozita sot si në qeveri dje: e gatshme me u zmbraps edhe në situata kur Kosova ka të drejtë”, ka shkruar ai.
Çka ndodhi sot në veri?
Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.
