‘Averzion ndaj shqiptarëve’: Cilësimi i figurave të VV’së për Draftin e FES-it ku Qeveria ‘do të frymëzohet’
"Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe [në kuadër të obligimeve të neneve 7 dhe 10] të frymëzuar nga organizata Friedrich Ebert, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit të vitit 2024". Kështu thotë letra që sot papritmas, ministrja e jashtme Donika Gërvalla e ka dërguar në adresë të kryetarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së.
Qeveria e Kosovës, nëpërmjet ministres së jashtme Donika Gërvalla, e ka nisur një letër në adresë të kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku zotohet se deri në fund të muajit maj, do ta dërgojë një draft në Gjykatë Kushtetuese.
Kjo nënkupton, se Qeveria e Kosovës do ta shkruajë vetë një draft dhe drafti në fjalë, nuk është Drafti i njohur si ‘evropian i Asociacionit’.
Qeveria në këtë letër, zotohet se drafti do të jetë i frymëzuar nga ai i organizatës FES.
Çka përmban drafti i Friedrich Ebert (FES)?
Drafti në fjalë, ishte publikuar në fund të janarit të vitit 2023.
I përbërë nga shtatë kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut i hartuar nga FES-i, parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të Asociacionit, përfshirë simbolet.
Sipas FES-it, Asociacioni mund të ushtrojë edhe kompetenca shtesë, të cilat mund të delegohen nga autoritetet qendrore të Kosovës.
Sa i përket strukturës, ky draft-statut ka paraparë që Asociacioni të ketë: Kuvendin, kryetarin, nënkryetarin, Këshillin dhe Bordin e Asociacionit.
FES-i ka paraparë disa objektiva të këtij organi, sikurse forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimin e interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.
Dokumenti i FES-it parasheh që Asociacioni të ketë statusin e subjektit juridik, të cilin thuhet se duhet t’ia japë Qeveria e Kosovës përmes një akti juridik.
Sipas dokumentit në organizatës gjermane, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë, përmbledhte REL kështu draftin.
Në prezantimin e këtij drafti, edhe para një pjesë të publikut kosovar po atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje do të përfaqësohej nga Sami Kurteshi, anëtar i VV-së në KQZ.
Kurteshi pati deklaruar se ky draft ka averzion ndaj shqiptarëve, dhe flet vetëm për serbët.
“Disa here u përmend që Asociacioni nuk është bashkësi një etnike. Nuk dëgjova që u përmend një emër tjetër përveç serbë. Nëse nuk është një etnike pse nuk është e mundur që të thotë edhe goran edhe turq. Se me gjasë ka një avezion ndaj konceptit shqiptarë. Pse kërkohet vetëm në Kosovë të krijohet një tersi me karakter territorial një etnik, nëse s’ka nevojë pse të krijohet”, tha ai.
“Derisa nuk ka shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë, atëherë me çfarë baze do të duhej të ekzistonte ky asociacion”, tha tutje Kurteshi.
Në anën tjetër, përfaqësues të FES kanë deklaruar se ky draft është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.