Avancon nepotizmi: Sokol Haliti i LDK-së punëson familjarin asambleist nga VV, s’e përfillin as Anti-Korrupsionin - NACIONALE

Avancon nepotizmi: Sokol Haliti i LDK-së punëson familjarin asambleist nga VV, s’e përfillin as Anti-Korrupsionin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Po dëgjojmë shpesh e më shpesh për punësime familjare e partiake nga Lëvizja Vetëvendosje, e kemi dëgjuar në të kaluarën edhe nga partitë e tjera që ishin në pushtet. Por, nuk kemi dëgjuar deri tash për punësime familjare ndër-partiake. Për çka po flasim?

Në fund të vitit të kaluar, Sokol Haliti i Lidhjes Demokratike (LDK), arriti të fitonte edhe një mandat si kryetar i komunës së vogël të Vitisë. Ai kundër kishte madje edhe nipin e tij, z. Sejdi Emini, i cili kandidonte për asambleist nga radhët e partisë së Albin Kurtit, Vetëvendosjes.

Daja nga LDK-ja e fitoi garën e tij për kryetar komune. Por, edhe nipi nga VV-ja e fitoi garën e tij për t’u futur në asamblenë komunale. Por, fitimet e tyre nuk u ndalën këtu.

Çka bën nipi për dajën? E bën drejtor pavarësisht çka mendon Anti-Korrupsioni

Më 23 shkurt të vitit 2022 në Vitinë e vogël do të dilte një njoftim me një numër të madh gabimesh drejtshkrimore.

Në atë njoftim tregohej se daja, Sokol Haliti nga LDK, e kishte emëruar si drejtor të Shkollës Fillore të Mesme të ulët nipin e tij nga VV-ja, Sejdi Eminin.

Shkolla quhej “Mirali Sejdiu” dhe ndodhej në fshatin Goshicë të kësaj komune.

Si duket, kjo ishte dhurata që daja që ishte kryetar komune nga LDK i bëri nipit të tij nga Vetëvendosje për nder të një vjetorit të fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkrutit.

Kjo pasi rasti shkoi në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) për të parë nëse kishte konflikt interesi, sepse nëse është ashtu siç duket ai duket i qartë.

Një tjetër problem

Para saktësisht një muaji, ditë e enjte (ditë pazari), Agjencia Kundër Korrupsionit do të jepte opinionin e saj në lidhje me rastin e ku nuk do të merrte parasysh raportin familjar mes dyshes por një problem tjetër.

Emini nuk kishte të drejtë të ishte edhe asambleist e edhe drejtor i Shkollës.

“Mbajtja e njëkohshme e funksionit të anëtarit të Kuvendit Komunal si dhe e drejtorit të institucionit publik edukativo-arsimor dhe aftësues parauniversitar të së njëjtës komunë është në kundërshtim me Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale (neni 65, paragrafi 2).” - shkruhej në opinionin e AKK-së.

Nacionale ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, për ta pyetur në lidhje me rastin.

Ai u përgjigj me arrogancë dhe tendencë për të treguar se si duhej kryer profesioni i gazetarisë.

“Hajdi këtu, mos më pengoni përmes telefonit, dhe kryeni punën qysh duhet. Më ke thirrë me tendencë, e di kush të ka shti. Komuna i respekton të gjitha rregullat, dhe kjo përzgjedhje është me procedurë të rregullt.”

Gazetari ka insistuar të dijë edhe raportin familjar mes tij dhe z. Emini, por ai nuk është përgjigjur asnjëherë.

“Nuk ka lidhje partiake,” – ka thënë ai.

Natyrisht, ne treguam qysh në fillim të këtij shkrimi se Haliti ishte pjesë e LDK-së ndërsa nipi i tij ishte pjesë e Vetëvendosjes.

Në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit kërkohet që Vitia të marrë veprime konkrete “dhe të menjëhershme në evitimin e shkeljes” së nenpit të ligjit të partpërmendur.

Kjo gjë, fatkeqësisht, nuk ka ndodhur.

PËRDITËSIM: Nga Vitia na kanë thënë se Sokol Haliti e ka djalë të hallës Sejdi Eminin.

Lajme të ngjashme