Asociacioni: Emisari gjerman Sarrazin flet për qëndrimin e Gjermanisë rreth anëtarësimit në KiE
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka thënë se është thelbësore që Kosova të bëjë gjithçka që mundet për t’i bindur shumicën e gjerë të shteteve anëtare për ta votuar anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
Në një intervistë “European Western Balkans”, Sarrazin ka thënë se të drejtat e pakicave, janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës.
“Ne kemi ndjekur për së afërmi zhvillimet në Asamblenë Parlamentare. Dhe ne, sigurisht, e marrim në konsideratë vendimin e Asamblerë Parlamentare në diskutimet tona.
Natyrisht, ne jemi miq të fuqishëm dhe përkrahës të Kosovs. Dhe ne qëndrojmë pas kësaj ideje për ta sjellur Kosovën më afër Evropës, gjë që po ashtu nënkupton anëtarësimin në KiE. Por, vendimi në fund do të merret me Këshillin e Ministrave, dhe është thelbësore që Kosova të bëjë gjithçka që mundet për të bindur shumicën e gjerë të shteteve anëtare. Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës.” – ka deklaruar ai.
Tutje, emisari gjerman u pyet se a do të jetë i nevojshëm formimi i Asociacionit për anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke përmendur edhe disa deklarata nga liderët serbë.
“Më duhet të them se nuk mund ta ndjek vërtetë argumentimin e Serbisë. Të paktën për palën gjermane, mund të them se krieret e përmendura nga Serbia nuk janë publikuar asnjëherë si kritere tona për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në KiE.” – u përgjigj fillimisht ai.
Megjithatë, Sarrazin e bëri të qartë se çështja e minoriteteve, është shumë relevante dhe se Kosova e ka obligim formimin e Asociacionit.
“Në përgjithësi, situata e çështjes së minoriteteve në Kosovë është shumë relevante. Por Kosova ka një obligim nga marrëveshjet e Brukselit të arritura në 2011 dhe 2023 si dhe nga marrëveshja e Ohrit për ta implementuar Asociacionit. Çka është e qartë te të dyja, Kosova dhe Serbia duhet ta implementojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila përfshin edhe formimin e Asociacionit.” – tha ai.
Pyetja tjetër ishte: “A po e shkel Serbia marrëveshjen?”.
Sarrazin u shpreh se veprimet aktuale të Serbisë nuk janë në linjë me tekstin e marrëveshjes së Ohrit.
“Ka një përkushtim të qartë në marrëveshjen e Ohrit: Serbia nuk duhet ta ndalojë Kosovën për t’u bërë pjesë në organizata ndërkombëtare. Nuk e shoh se si veprimet aktuale të Serbisë janë në linjë me tekstin dhe shpirtin e kësaj marrëveshje.” – tha ai.