Asociacioni “diku aty ndërmjet” kërkesave maksimale të Serbisë dhe minimale të Kosovës, thotë ekspertja nga SWP - NACIONALE

Asociacioni “diku aty ndërmjet” kërkesave maksimale të Serbisë dhe minimale të Kosovës, thotë ekspertja nga SWP

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Mes kërkesave maksimaliste të Serbisë dhe kërkesave minimale të Kosovës, Asociacioni i Komunave të populluara me shumicë serbe do të jetë “diku aty ndërmjet”, thotë studiuesja në institutin gjerman “Stiftung Wissenschaft und Politik” (SWP) që këshillon qeverinë gjermane dhe Bundestagun, Marina Vuloviq, në një intervistë me Nacionalen. “Nuk është në interesin e askujt” që një aranzhim i tillë të defunksionalizojë shtetin kosovar, thotë Vuloviç, ndërsa narrativën përbashkuese mes Asociacionit dhe entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës ajo e quan veçse “arsyetim për të justifikuar mos-zbatimin” e Asociacionit.

Në lidhje me atë se në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit 2015 vërehej me shqetësim se ky Asociacion do të “ushtrojë vështrim/vëzhgim/mbikëqyrje të plotë” (ang: exercises full overview) në një numër sferash, pjesë kjo e cila kuptohej si pushtete të pretenduara ekzekutive, Vuloviç vëren se, p.sh, në draft-Statutin e hartuar nga instituti gjerman FES nuk thuhet “exercises” (shqip: ushtron) por vetëm “have full overview” (shqip: ka vëzhgim/vështrim/mbikëkyrje të plotë). “Prandaj, thënë juridikisht, ëashtë e mundshme të ndërtohet (Asociacioni) asisoji që s’krijon shtresë pushteti ekzekutiv”, thotë Marina Vuloviq.

Në lidhje me frazimin “vetëmenaxhim për komunitetin serb të Kosovës” i cili përmbahet në Nenin 7 të Marrëveshjes Bazë për Normalizim të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Vuloviç thotë se tash për tash “askush nuk mund të thotë me siguri” se çfarë përfshin kjo “në veçantinë e saj”. “Vetëmenaxhimi i referohet marrëveshjeve të kaluara të arritura në dialog siç është Asociacioni/Bashkësia e Komunave të populluara me shumicë serbe dhe dyshoj se do të jetë diku mes kërkesave maksimale të Serbisë dhe kërkesave minimale të Kosovës”.

Intervista e plotë e Marina Vuloviç me Nacionalen:

Nacionale: Ka goxho shumë spin-doktorizëm brenda Kosovës dhe Serbisë në lidhje me Artikullin 7 për “vetëmenaxhim” dhe çfarë përmbahet aty. Si e lexuat ju atë dhe a është ajo njëfarë forme e gjallërishme e autonomisë politike çfare e pretendon pala serbe apo thjesht një strukturë e papeshë për bashkërendim punësh të komunave siç e paraqet pala kosovare?

Marina Vuloviç: Forma e vetëmenaxhimit do të përcaktohet në bisedimet e ardhshme në dialogun e Brukselit, dhe mendoj se këtë nuk mund ta thotë askush me siguri se çfarë në veçanti do të përmbahet aty. “Vetëmenaxhimi” i referohet marrëveshjeve paraprake të arritura në dialog, siç është Asociacioni/Bashkësia e Komunave të banuara me shumicë serbe dhe dyshoj se ndërtimi i saj do të jetë aty diku ndërmjet kërkesave maksimale të Serbisë dhe kërksave minimale të Kosovës. Por, vetëm bisedimet e ardhshme do të na thonë më shumë rreth saj.

Nacionale: Një gjë tjetër që ende mbetet e paqartësuar në Artikullin 7: formalizimi i Statusit të Kishës Ortodokse Serbe, pikë kjo për të cilën shumëkush brenda Kosovës e sheh si tejkalim të dispozitave në Planin e Ahtisaarit, pasi aty ka nivel të lartë të mbrojtjes së Kishës Ortodokse Serbe. A po shkojmë drejt një Marrëveshje Themeltare të llojit të Malit të Zi. A kanë të drejtë kritikët?

Marina Vuloviç: Mendoj se kjo pikë i referohet amandamentimit të ligjit për liritë fetare që do të lejonte grupet fetare të marrin status ligjor. Pa status ligjor, komunitetet fetare në Kosovë s’mund të zotërojnë prona, të hapin llogari bankare e as të dalin në gjykata si entitete kolektive. Partnerët perëndimorë të Kosovës kanë ngulur këmbë në këtë reformë që kohë. Përmbi këtë, ka ende raste problematike të kontestimeve pronësore mes autoriteteve lokale dhe Kishës Ortodokse Serbe, si moszbatimi nga autoriteve i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për regjistrimin e 25 hekterëve tokë të Manastirit të Deçanit. Ky vendim nuk ka ngjitur dialogun mes komunitetit serb dhe autoriteteve në Kosovë, e as bindjen e komunitetit që autoritetet do të sillen në interesin më të mirë të tyre.

Nacionale: T’i kthehemi Asociacionit. Gjykata Kushteutese më 2015 shprehu shqetësim rreth fjalë-vënies “ushtron mbikëqyrje të plotë” në një numër çështjes që kryesisht sinjifikonte konstituimin e një niveli të ri të pushtetit në Kosovë. A është ky “vetëmenaxhimi” komplementar ose zëvendësim i kësaj pike të “ushtrimit të mbikëqyrjes së plotë”?

Marina Vuloviç: Nuk mendoj të jetë në inters të ndokujt që Kosova të bëhet shtet jofunksional për shkak të mënyrës se si ky Asociacion do të ndërtohej. Prandaj mendoj se barazimi mes Asociacionit dhe “Republika Srpska”-s është veçse një arsyetim për të justifikuar moszbatimin e saj. FES-i për shembull demonstroi se si Asociacioni mund të ndërtohet në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, e cila haptazi rekomandon që Asociacioni të ndërtohet sipas Marrëveshjes së Brukselit 2013. Ajo marrëveshje thotë se Asociacioni “do të ketë mbikëqyrje të plotë” *(jo ushtrim). Prandaj, thënë juridikisht, nuk është e mundshme të krijojë nivel të ri të pushtetit ekzekutiv. Por, rreth kësaj nevojitet vullnet politik nga ana e qeverive, edhe në Prishtinë edhe në Beograd. Prishtina për ta zbatuar, Beogradi të nxisë komunitetin serb të kthehet në institucionet e Kosovës. Gjer më tash, nuk kemi parë shumë vullnet politik për këtë./Nacionale/

Lajme të ngjashme