'Asnjë hapësirë më për interpretim', 'Rekord i turpshëm, 48 herë': Aktgjykimi ia vizatoi situatën jokushtetuese VV-së
Uzurpimi procedural përmes librit të lojës së Vetëvendosjes nga Avni Dehari u konstatua antikushtetuese nga rojtari përfundimtar i Kushtetutës së Kosovës – Gjykatës Kushtetuese. Dehari, në termat më të qartë, u konstatua të ketë tejkaluar “kompetencat e tij formale dhe solemne” duke imponuar “mocion procedural” që s’parashihet në Rregullore të Kuvendit për seancat konstitutive, dhe se, kësisoji, duke e mbajtur atë për 48 herë rresht në mbi 100 ditë, si rrjedhojë po aq herë e po aq ditë ka qenë në shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Kryesuesi i seancës konstitutive thjesht nga virtyti i moshës, Avni Dehari, u elaborua pafund në arsyetimin e GjK-së se si devijoi nga rendi i ditës dhe rendi kushtetues duke i qëndruar imponimit me të ashtuquajturin “Komision për Votim të Fshehtë” me ç’gjë ai ua mori edhe deputetëve të drejtën për të votuar në rend të parë.
...
Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës reagoi i pari pas botimit të Aktgjykyimit të Gjykatës Kushtetuese i cili në tërësi tekstin e vendimit e mori për të qartë që “nuk ka më hapësirë as për interpretimme” dhe kërkoi që të thirret menjëherë seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës.
“Seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të Kryesuesit të Seancës Konstituive. Ndërkohë, Kryesuesi është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit - me votim të hapur.
Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime. I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, tha Krasniqi.
Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës poashtu reagoi duke thëmë se u konfirmua konstatimi i LDK-së se veprimet e Avni Deharit përbënin “shkelje flagrante kushtetuese” dhe se kohëzgjatja e bllokadës nga kryesuesi “është rekord i turpshëm 48 herë”.
“Për 48 herë rresht – rekord i turpshëm dhe i pashembullt në historinë parlamentare – bllokuesit tejkaluan kompetencat, shkelen Kushtetutën dhe penguan konstituimin e institucioneve të vendit.
Gjykata riafirmoi qartë se as Kryesuesi më i moshuar e as partia më e madhe nuk mund të veprojnë jashtë Kushtetutës, e as të shpikin procedura që minojnë demokracinë dhe ligjshmërinë. Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit bëhet vetëm me votim të hapur, deri në tre herë për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30-ditor”, shkroi ai.
Instituti i Kosovës për Demokraci e ka mirërpritur Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese si zhvillim të rëndësishëm “në rivendosjen e rendit kushtetues dhe institucional”.
KDI thanë se Avni Dehari, si kryesues i seancës konstitutive thjesht nga virtyti moshës, “ka tejkaluar mandatin kushtetues” siç edhe u konstatua në Aktgjykim.
KDI i bën thirrje Kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari, që të thërrasë sa më parë vazhdimin e seancës konstituive dhe të përmbushë detyrimet që rrjedhin prej aktgjykimit, duke ftuar grupin më të madh parlamentar që të propozojë kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit, si dhe të procedojë me votimin e hapur. Kjo përbën një detyrim të qartë, që nuk lë vend për interpretime politike apo zvarritje të mëtutjeshme procedurale”, thanë ata.