Asnjëherë ithtar i Abdixhikut, Hoti ‘faksion’ në vete sfidon lidershipin e partisë me një elaborat pakënaqësish
I pesti më i votuar ‘pikë e pesë’ LDK-në: Avdullah Hoti.
Nga dita e parë – qysh edhe i është dukur ballit – Avdullah Hotit s’është paraqitur për ithtar për atë që kishte marrë timonin dhe frenat e partisë: Lumir Abdixhikun.
Tek një muaj pas zgjedhjeve, Avdullah Hoti, një prej figurave më arçetip të partisë – haptazi ia faturoi ‘mossukessin’ Abdixhikut.
Me fraza aq të ngurta të përkthyeshme deri në pamundësi suksesi të partisë me Abdixhikun si drejtues.
“Nuk ka rrugë tjetër për rikthimin e besimit në LDK”, shkroi Hoti.
Miratues të qëndrimit të Hotit? Pakkush.
Arben Gashi, Rrezarta Krasniqi – dhe i ‘ekskomunikuari’ nga lidershipi i Abdixhikut, Agim Veliu – i bën ‘like’ duke u lexuar kështu për pajtim implicit me Hotin.
Por, në hierarki të partisë qëndrimet e Hotit u panë "të pakuptimta".
Nënkryetarja e Parë, Doarsa Kica-Xhelili s’e përfilli për përmbajtësor elaboratin e pakënaqësive të Avdullah Hotit.
“Qesharake, të pakuptimta, jo koherente”, tha ajo në një përgjigje me shkrim për Nacionale.
Ajo iu referua rritjes në përqindje e votë të LDK-së në raport me vitin 2021, kur ishte shënuar tepojza më e madhe e partisë.
Kica-Xhelili në prononcimin e saj u kujdes që fjalët e saj t’i shpreh në kapacitetin e saj zyrtar si “Nënkryetare”.
“Si nënkryetare e LDK, deklaroj se kjo është kërkesë qesharake, e pakuptimtë dhe jokoherente.
Strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë kryetarit aktual të partisë, i cili partinë e mori me rënien më të madhe historike në 12%, dhe e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes (me 70% rritje)”, tha ajo.
Edhe një tjetër nënkryetar, Gazmend Muhaxheri – i doli kategorikisht kundër Avdullah Hotit.
Logjika, sipas tij, është përmbys. Shkarkimi është i udhës kur ka rënie, e jo ngritje.
“Ku e kanë pa këtë logjikë?”, ngreu retorikisht pyetje Muhaxheri në një përgjigje për RTV21.
“Është dashtë me punu ma shumë për me dalë rezultati më i mirë. Qysh kur rritët 70% me kërku me u shkarku”.
“Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë jo kur e rritë...”
Nënkryetari tjetër kundër Hotit dhe në favor të Abdixhikut: Lutfi Haziri
“LDK nuk i takon funksionarëve por anëtarësisë. Në një ditë si kjo, duhet ritheksuar se LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë saj. Anëtarësia e saj ka vendosur me 19 nëntor 2023 për një mandat të ri të lidershipit”, shkroi Lutfi Haziri
Brendarreshtash Lutfi Haziri pati edhe thumba jo-referencial – por të përbdrendshëm partiakë: “betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti!”.
Agim Veliu i diferencuar nga lidershipi partiak duke u lënë edhe jashtë listës zgjedhore jehoi në favor të Avdullah Hotit.
“Të jesh i pafuqishëm ta ndryshosh gjendjen në shtëpinë politike, ku kryefamiljari (kryetari) të ka afruar formalisht "afër" vetes nuk është edhe shumë tragjike.
Është për keqardhje të të detyrojnë, apo të vetdetyrohesh për t'ia mbajtur ison shefit dhe, të dalësh publikisht e ta mbrosh "liderin" ,i cili po e dërgon në theqafje një familje të madhe politike, që për 35 vjet ishte shembull i demokracisë dhe meritokracisë”, shkroi ai.
Votat me postë të diasporës, inicimi i llugës...
Çka nisi nga Rrezarta Krasniqi e cila pretendoi të jetë dëmtuar “me dhjetëra vota” ndërsa që Xhafer Tahiri të ketë marrë mbi 88, sipas saj, përmes manipulimeve, shkoi e u amplifikua më tej.
Ddhe kjo krahas një mal akuzash të Vetëvendosjes ndaj tyre për manipulim dhe dirigjim votash.
Arben Gashi, i cili nuk i siguroi votat vetmas për t’u bërë deputet – por, që arrin të hyjë pas largimit të Gazmend Muhaxherit nga mandati i fituar, e që rrjedhimisht i bartet Gashit – kërkoi rinumërim në QKN-të në Prishtinë.
Për më tepër, foli edhe manipule të votave me postë në diasporë.
Se a është kjo një ‘skizmë’ e re të pakënaqurish brenda LDK-së, ende s’ishte thënë shprehimisht: por, kishte disa miratues me “llajk” në statusin e vet: Driton Selmanaj, Avdullah Hotin dhe Rrezarta Krasniqi ndër të tjerë.