"Asnjë marrëveshje e ndërmjetësuar nga ShBA-ja s'mund të jetë aq e keqe sa prishja e raporteve me të" - NACIONALE

"Asnjë marrëveshje e ndërmjetësuar nga ShBA-ja s'mund të jetë aq e keqe sa prishja e raporteve me të"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Javën që lamë pas u publikua emisioni numër 32 i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Vëmendja kryesore ishte te papërgjegjësia e Kurtit në dialogun Kosovë - Serbi, duke mos marrë për bazë rekomandimet e ShBA-së.

Autori Buzhala hodhi kritika të shumta ndaj kreut të ekzekutivit.

Sipas tij, asnjë marrëveshje ndërkombëtare që ndërmjetësohet nga ShBA-ja nuk mund të jetë aq e keqe sa prishja e raporteve me të.

"Asnjë marrëveshje ndërkombëtare e ndërmjetësuar nga Amerika e Gjermania, nuk mundet me qenë aq e keqe sa dëmtimi i raporteve të Kosovës me Amerikën edhe Gjermaninë", tha fillimisht kreatori i Ditarit, që më pas shtoi se kjo mund të jetë një lojë e kuptueshme në dialog, për të rritur "pazarin".

"Tash këto janë fraza që përdoren në kushte normale për me arrit deri te një marrëveshje e favorshme. Pra, nëse nuk do ta njihnim Albinin, nëse nuk do ta njihja Albinin, të kaluarën e tij, do të thoja, kjo është mirë, këto fjalë kështu, sepse ti nuk mundesh me shku në dialog edhe me thënë, po po, kemi me pranu veç po vimë atje. Pra, kjo është që thonë me forcu “pazarin”. Shkon atje edhe thua jo sepse ia numëron krejt këto gjëra, se janë valide, po kur shkon atje tregohesh konstruktiv, edhe shikon mundësinë e arritjes së marrëveshjes më të mirë".

Në anën tjetër, ai tha se duke u bazuar në atë se çka ka bërë Kurti deri më tani, e duke përmendur këtu talljen me gazetaren që edhe në arat e Mireshit po më pyesni për Lajçakun, ku më pas përmes "Facebook-ut" ironizoi duke thënë se e pyeti traktoristin për zbarkimin e sllovakut, e ai i dha gaz edhe më shumë traktorit.

Gazetari deklaroi se kjo është qesharake, pra bizare. Veç kësaj, ai pohoi se nuk mund të jetë kaq joserzio në një çështje serioze.

"Ajo çka kemi pa deri tash, është Albin Kurtin, në ara, tha më ndjeku një gazetare nga prapa, e pyta traktoristin për Lajçakun, i dha gaz traktorit. Qesharake. Nuk kemi ardhë në ditë që të tallemi me një proces tepër serioz, në këso forme bizare. Albin Kurti po harron që nuk është në selinë e Vetëvendosjes, duke i entuziazmu nxënësat e shkollës së mesme që entuziazmon prej foreve të tij të lodhta, pra me ato që njihen si fore të prindërve. Kosova edhe procesi nuk është fore. Ne jemi duke folur për jetë njerëzish. Jemi t’u folë për një progres që është arrit në 30 vitet e fundit", shtoi tutje.

Në pjesën e fundit ndërkaq, ai mori një shembull relevant. Kampionin e botës në shah, norvegjezin Magnus Carlsen.

Carlsen u bë temë diskutimi javëve të fundit, pasi dorëzoi një lojë, me pretekstin se kundërshtari po bën manipulime, ndërkaq kur e pyetën pse, ai tha se lëvizjet e kundërshtarit janë në disproporcion me situatën.

Se ku është relevanca me kryeministrin Kurti, shikoni se ç'thotë autori.

"Është një rast interesant për me përmbyll këtë rast, s’e di sa prej juve e përcillni shahun, ke një problem global, Magnus Carlsen, kampioni i botës, e dorëzoi ndeshjen me një djalë të ri, Hans Niemann. Fillimisht e mposhti ai, mandej hyri ky, e dorëzoi, Carlsen është fantastik, po dyshohet shumë për kurdisje. Po dyshohet që kundërshtari i tij, i cili në të kaluarën është zënë duke manipuluar, po i kurdis ndeshjet, sepse me anë të çipave, i parashikon lëvizjet e kundërshtarit. E pse po mendon tha që po kurdiset ndeshja: Epike përgjigje e tij: Sepse kur po e luaj një lëvizje tepër të rëndësishme, kundërshtari im s’e ka vëmendjen e duhur te ajo lëvizje. Përgjigja e kundërshtarit është në disproporcion me rëndësinë e lëvizjes që e kam bë unë. Pra, ky është problemi im, pse mendoj se Albin Kurti e ka gabim. Përgjigjet e tij janë joserioze me seriozitetin e ngjarjeve që na presin e që thuhet do të kulmojnë, ose deri në fund të nëntorit, ose deri në fund të shkurtit".

Më poshtë edhe pjesa e zgjeruar këtu, ndërsa në atë të epërme të tekstit gjeni emisionin e plotë.

Lajme të ngjashme