“Arrogancë, frikë, racizëm”: Pse Kurti e Osmani shkojnë në Drenicë me shumë xhipa e truproja? - NACIONALE

“Arrogancë, frikë, racizëm”: Pse Kurti e Osmani shkojnë në Drenicë me shumë xhipa e truproja?

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Pothuajse secilën herë që kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani ia mësyjnë Skënderajt e Drenasit, kolonat e gjata e eskortës së tyre është gjëja e parë që bie në sy. Dje, në përvjetorin e masakrave në Poklek e Çikatovë, Kurti e Osmani, bashkë me Glauk Konjufcën, shkuan me 11 vetura me xhama të zinjë. Por pse pushteti po shkon me xhipa të zinjë në Drenicë?

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Kurti shkon me kaq shumë përcjellje në Drenicë, pasi pamje e njëjtë, vetëm kësaj radhe me 7 xhipa, ishte me rastin e masakrës së Izbicës në Skënderaj, për të cilën raportoi edhe Nacionale.

Ndërsa në një rast, Kurti ishte përcjellur me shumë policë gjatë vizitës në Skënderaj, gjatë kohës së fushatës për zgjedhje lokale.

Marrëdhënia e trazuar

Sipas Shkodran Ramadanit, politolog, pamja e kolonës së gjatë të xhipave të zinj tregon të vërtetën për Qeverinë Kurti, duke shtuar se pushteti e shkeli edhe premtimin për xhipat, të cilat ai i cilëson si përralla.

“Ndryshe nga përrallat opozitare, në realitetin e pushtetit askush nuk po arrin ta nxjerr dot Kryeministrin prej xhipave, as në përvjetorët më të dhimbshëm të masakrave të luftës. Dje në Poklek e pamë edhe një skenë ku pasi krerët shtetërorë zbritën në një vend, menjëherë u futën në xhip për të vozitur vetëm 50 metra më larg. Po përsëritet saga komike e kravatave, që në opozitë u shpallën simbole të borgjezisë shtypëse dhe që në pushtet u bënë shenja më dalluese e dukjes së Kryeministrit, që dikur nuk e vendoste kravatën as në parlament sepse i thoshte “kërpesh”, por që tash nuk e heq as kur flen e as kur del në piknik.” – theksoi ai.

Ndërsa, analisti dhe gazetari Imer Topanica vlerësoi se një përgjigje e thjeshtë dhe e shpejtë në lidhje me pamjen e djeshit, do të ishte se kështu e përcakton protokolli shtetëror. Megjithatë, ai ka edhe një shpjegim tjetër.

“Prirem të besoj se klima armiqësore e mbjellur nga diskursi i egër politik i kontaminuar herë, herë edhe me tone raciste, këtu e më shumë se dy dekada, është zbutur e këndellur dukshëm. Askush nuk do t’i kishte ngarë, edhe po të ecnin në sheshet e qyteteve të këtij rajoni, por kjo nuk do të thotë se prijësve të tanishëm, iu ka kaluar frika. Siç thotë ajo shprehja popullore: hiqma tutën, ta fali atin! Pra, Drenica ende mbetet një bastion i partive të krahut të luftës dhe figurat e liderëve aktualë, nuk shihen me sy aq miqësor.” – theksoi z. Topanica.

Sipas Ramadanit, kolona e xhipave është edhe një simbol i arrogancës e shkëputjes së Kurtit nga populli.

“Radha e gjatë e xhipave të zinj që shohim sot është një ilustrim i prekshëm e i përsosur i kësaj që po e them. Ky nuk është vetëm një simbol i arrogancës dhe shkëputjes së kryeministrit nga populli, por edhe një përkujtim i ashpër i gënjeshtrave dhe mashtrimeve që kanë pllakosur peizazhin tonë politik për një kohë të gjatë.” – vlerësoi Ramadani.

Ndërsa analistja e njohur, Zana Avdiu, kolonën e gjatë të eksortës së Kurtit e Osmanit e ndërlidh me shijimin e “15 minutave të famës”, gjë e cila i shtyen ata të demostrojnë në pushtetin edhe në përvjetore të masakrave.

“Në krejt këtë ka ndikuar arroganca e numrave në zgjedhje, nga të cilat po mendojnë që fuqia e tyre është e jashtëzakonshme, dhe se askush dhe asgjë nuk iu nevojitet. Ne kemi pushtet e fuqi dhe këtë e tregojnë mëse miri më shfaqje të tilla. Lirisht mund të themi se janë në delirin e pushtetit, dhe nga atje naltë, nuk po shohin asgjë. Përveç kësaj, mua personalisht po me japin përshtypjen që po i sherojnë komplekset qe i kanë pasur karshi pushteteve të kaluara, ku si duket i paskan endërruar xhipat e zi. Dhe, tani duan ta fshaqin vetën, më të fuqishem se paraardhësit e tyre. Pra, këta duhet të duken më madhështor se ata të parët.” – sqaroi Avdiu.

Lajme të ngjashme