"Me 11 xhipa në Drenas" - Si u priten dhe çka i thanë Kurtit, Osmanit dhe Konjufcës në Poklek dhe Çikatovë? - NACIONALE

"Me 11 xhipa në Drenas" - Si u priten dhe çka i thanë Kurtit, Osmanit dhe Konjufcës në Poklek dhe Çikatovë?

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Është ora 10:50. Jam në hyrje të fshatit Poklek i Ri. Rruga e fshatit është e bllokuar edhe për automojetet e banorëve. Policia po e bënë gati rrugën për vizitën e krerëve shtetëror, Presidentja Vjosa Osmani, kryeparalamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.

Shumica e banorëve aty kanë të humbur familjarë në dy masakrat e kryera me 17 prill 1999. Forcat serbe masakruan 47 civil dhe në po të njejtën ditë në Poklek masakroi 24 të tjerë. Kjo mbetet një ndër masakrat më të tmerrshme që janë kryer gjatë luftës në Kosovë.

Ora është 11:15. Ka mbi 30 minuta që banorët dhe organizatorët janë dukë pritur në shi treshen udhëheqëse të shtetit. Shumica e tyre nuk kanë qadra. Nuk vonon shumë dhe nga hyrja e fshatit dallohen edhe veturat zyrtare. Veturat e tre zyrtarëve shtetëror bashkohen dhe formojnë kordonin. Janë fiks 11 vetura. I numërova vet dhe as unë e as kameramani nuk ia qëlluam numrit të saktë.

Treshja arrinë dhe ata nisin të flasin me familjarët e viktimave. Secili prej këtyre familjarëve kanë histori tragjedie. Qe 24 vjet nuk ka drejtësi për viktimat në këto dy fshatra. Presidentja e përmend faktin se njeriu që ka udhëhequr aksionin e masakrave në këto dy fshatra është duke u ngritur në pozitë drejtuese në Policinë e Serbisë tash.

Banorët e dy fshatrave ende i kanë kujtimet e freskëta por për ata këto kujtime do të mbesin gjithmonë traumë nëse nuk dënohen kryesit e këtyre masakrave.

Kryeministri iu jep garanci që do të bëjë çmos që të ketë drejtësi. Presidentja ua përmendi edhe Institutin për Krime Lufte që është krijuar nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë.

Pas kompleksit memorial në Poklek, treshja niset drejt shtëpisë së Familjes Muqolli. Nga Memoriali deri tek shtëpia e kësaj familje nuk janë më shumë se 5 minuta ecje. Por treshja përsëri i hyp xhipave. Banorët ecnin këmbë ndërsa ata në vetura.

Tek shtëpia i pret Ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Muqolli. Historia e tij është tragjike. Forcat serbe ia vranë katër fëmijët, bashkëshorten, prindërit, gruan e vëllait dhe dy fëmijët e vëllait në Masakrën e Poklekut ku u vranë e shkrumbuan 47 njerëz.

Muqolli u rrëfen gjërë e gjatë gjithë tragjedinë. Ka kërkesë specifike. “Duhet drejtësi. Duhet krimet mu dëneu. Kur kanë më u dënu?”, pyet ai.

Por vetëm Osmani i kthen përgjigje. Kurti dhe Konjufca nuk flasin. Kryhet vizita në Poklek. Radha është për fshatin Çikatovë të Vjetër. Edhe aty, 24 vjet më herët ishin masakruar 24 veta.

Edhe në këtë fshat, treshen i mirëpret një këshill organizativ. Nuk ka shumë banorë që i presin ata specifikisht. Secili bëjnë homazhe për familjarët ose bashkëfshatarët që i kanë humbur. Shumë prej tyre i kanë parë me sytë e tyre krimet.

“Drejtësi, drejtësi dhe vetëm drejtësi”, thotë një nga banorët.

Treshja bënë serish ritalin e zakonshëm të homazheve. Në fund teksa kryeministri fliste, ia bëra një pyetje: A do tia përmendësh këto masakra Vuçiqit kur do ta takosh herën tjetër?

Ndiqeni videon për ta parë krejt çka ka ndodhur gjatë kësaj vizite:

Lajme të ngjashme