Ambasadori i shkarkuar: Për Kurtin e Osmanin gruaja ime shtatzënë do mbetej në rrugët e Australisë
Gjatë vitit të kaluar, më saktësisht në maj, Presidentja Vjosa Osmani me rekomandim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishte nënshkruar shumë dekrete për të shkarkuar 12 ambasadorë të Kosovës nëpër botë.
Këtë ngjarje e ka rikthyer në kujtesë edhe një herë njëri nga diplomatët e shkarkuar.
Ish-ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, i cili u shkarkua vitin e kaluar nga ky post, ka bërë një shkrim të gjatë në Facebook në lidhje me ndodhitë e pas shkarkimit. Aty ai ka rënditur të gjitha peripetitë që i kaloi nga momenti i shkarkimit, shkruan Gazeta Nacionale.
Abazi, që ishte edhe ish-ushtar i UÇK-së, thotë se shkarkimi i tij s’kishte asnjë arsye pos interesave meskine partiake.
Madje ai ka treguar se për Presidentet Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryediplomaten Donika Gërvalla, ai dhe gruaja e tij shatzënë do të mbeteshin në rrugë.
“Për Presidenten, Kryeministrin dhe Kryediplomatën gruaja ime shtatzënë dhe unë do të mbeteshim në rrugë dhe pasojat do të mund të ishin katastrofale. U përballëm me një sfidë thuaja 7 mujore, me një braktisje nga shteti, për formimin e të cilit kam dhënë kontribut nga viti 1973 e deri më 30 gusht 2021.”, shkruan Abazi në Facebook, transmeton Nacionale.
Ish-diplomati Kosovar thotë se po kthehet së bashku me djalin e gruan e tij.
Në statusin e tij, Abazi ka falënderuar shtetin e Australisë, në të cilin shërbeu si diplomat për disa vite, për mirëkuptimin për gjendjen e gruas shtatzënë duke i mundësuar qëndrimin deri në lindje siç e kishte rekomanduar edhe mjeku.
Por, ish-diplomati i Kosovës thotë se institucionet e vendit nuk treguan një të tillë mirëkuptimi.
“Do të kisha dashur shumë, ashtu sikurse e ka për detyrë ndaj shtetasve të vet, që Presidentja, Kryeministri e Kryediplomatja e Kosovës ta tregonin këtë mirëkuptim e të na mbeshtesnin për të njëjtat arsye si të qeverisë australiane, por këta u treguan indiferentë dhe krejt të papërgjegjshëm thua se shteti është pronë e tyre. Dhe kur po të njëjtit flasin për të drejta të njeriut, për përkrahje të grave dhe për trajtim pa diskriminim - unë, gruaja ime dhe fëmija im e kuptojmë falsitetin e tyre të pështirë!”, shkruan Abazi.
Tutje ish i burgosuri politik ka treguar se ndonëse u shkroi shumë emaila, tre liderët e vendit nuk dënjuan të përgjigjeshin në to.
Në fund, Abazi ka falëndëruar edhe komunitetin shqiptar në Australi të cilët reaguan për shkarkimin e tij nga pozita e ambasadorit.
Pas shkarkimit të Abazit nga posti i kryediplomatit kosovar në Australi, Ambasada e Kosovës në Kanberra ishte mbyllur pasi që nuk kishte diplomat tjetër që të përfaqësonte shtetin kosovar në vendin e largët të Oqeanisë.
Kujtojmë që vitin e kaluar, me rekomandim të Qeverisë Kurti, presidentja Osmani shkarkoi 12 amabsadorë të Kosovës nëpër botë.
Për shkarkimin e tyre pati shumë reagime duke e cilësuar një gjë të tillë si suspendim të politikës së jashtme të Kosovës e vendimin e presidentes Osmani si ushtrim arbitrat i detyrave.
E pozitat e lëna vakante, pushteti aktual ka tentuar t’i plotësojë gjatë vitit të kaluar. Procesi i dërgimit të ambasadorëve të Kosovës në misione jashtë vendit ende nuk ka përfunduar, ndonëse kanë kaluar mbi 10 muaj që nga shkarkimet masive në diplomaci, shkruan Nacionale.
Ndryshe Gërvalla është kritikuar shumë për punën e saj në diplomaci. Përveç shkarkimeve, asaj i përmenden shumë gafat e shpeshta që ka bërë në rrjetet sociale e deklaratat e pamatura.
Diplomacia s’është pika më e fortë e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kurti. Madje ky i fundit ende nuk ka udhëtuar në Ëashington për vizitë zyrtare, përkundër që një të tillë e paralajmëroi që nga vjeshta e kaluar.
Postimin e plotë të ish-asmbasadorit Abazi mund ta lexoni këtu.